Ish-mbrojtësi i Kombëtares, Andi Lila ka shprehur nëpërmjet një deklarate se futbollistët shqiptarë luajnë pa sigurime shoqërore dhe shëndetësore dhe se kur dëmtohen ata marrin kredi për të shlyer atë ndërhyrje kirurgjikale. Gjithashtu Lila ngriti shqetësimin e mungesave të terreneve sportive:

“Ka futbollistë që luajnë prej 20 vitesh dhe janë pa sigurime shoqërore. Por kur këta futbollistë lënë karrierën për shkak të dëmtimeve, që ndodhin jo rrallë, nuk ka kush t’i mbrojë, e aq më pak t’i paguajë kostot e operacionit, dhe ata rrezikojnë të dalin në rrugë.

Sportistët e rinj nuk kanë terrene sportive ku të stërviten. Fatkeqësisht shumë terrene sportive janë shndërruar në pallate shumëkatëshe.

Stërvitja në fusha sintetike apo private është një kosto e lartë për ta dhe për familjet e tyre. Sporti, e sidomos futbolli, është një lojë dëmtimesh, ndaj duhet ta parashikojmë pasojën e dëmtimeve. Nuk ka nevojë të shpikim rrotën, por thjesht të ndjekim rregullat që kanë ndjekur shumë vende si ne.

Dua te sjelle para jush rastin e nje futbollisti qe deshi te merrte nje kredi, por meqenese nuk ishte i siguruar, banka nuk ia dha. Atehere ai vuri si kolateral shtepine e prinderve te tij.

Por me kredinë që mori ky futbollist vuri në rrezik tre breza, pasi vuri në garanci shtëpinë e prindërve, ndërkohë që futi në një situatë të rrezikshme ekonomike edhe veten dhe fëmijët e tij”, tha Andi Lila për “ABC”.