Klasikja e futbollit shqiptar mes Vllaznisë dhe Tiranës, mbetet një ndeshje plot rivalitet dhe e luftuar.

Skuadra e Thomas Brdric zhgënjeu tifozët e shumtë në “Loro Boriçi” në takimin përballë bardhebluve kryesues, që fituan 0-2 falë golave të Redon Xhixhës dhe Taulant Seferit.

Sulmuesi nga Kumanova po kalon një formë të shkëlqyer, në Shkodër realizoi golin e tretë sezonal në Abissnet Superiore, duke vulosur suksesin e ekipit të Orges Shehit, që kryeson kampionatin.

24-vjeçari zhvilloi një punë të madhe në të dy fazat e lojës. 12 duele fitoi Seferi nga 21 të zhvilluara në total, duke ndihmuar shokët edhe në aspektin defensiv, teksa realizoi me sukses 63% të aksioneve të nisura.

Seferi është përzgjedhur lojtari më i mirë i ndeshjes Vllaznia-Tirana në bazë të statistikave të nxjerra në emisionin “Analizë Superiore”.

Sa i përket ndeshjes, vendasit shkodranë ishin më superiorë në statistika, por djemtë e Orges Shehit u shfaqën solidë dhe cinikë, realizuan dy herë dhe u rikthyen në kryeqytet me tre pikë të arta.