Ish-futbollisti, Andi Lila, foli në emisionin “Skaner” në MCN TV, për lëvizjet te klubi i Partizanit, ku janë larguar trajneri Xhovani Kolela dhe drejtori sportiv Elton Marini.

Lila deklaroi se ka rezerva për largimin e trajnerin, pasi doli kampion, ndërsa shtoi se këto largime janë mister. Sipas tij, trajnerët italianë nuk japin kurrë dorëheqjen.

“Kisha fatin të ndiqja çdo ndeshje te Partizanit. Kolela na dhuroi një Partizan të bukur, në fillimin e kampionatit. Kishte oshilacione dhe në fund u kurorëzua me titullin kampion. Për mua, kam rezervat e mija për largimin e trajnerit. Mund t’i jepej mundësia të tregonte veten edhe në Champions League.

U arrit titulli kampion, dhe u shkarkuan drejtori Marini dhe trajneri Kolela. Kjo më jep një mister. Nuk mendoj se trajneri kishte sukses më të madh sesa të dalë kampion me Partizanin. Të japë dorëheqjen, më duket një mister. Edhe Marini ka bërë një punë të mirë. Në merkaton e dimrit, u shitën Skuka dhe Bitri.

Në vlerësimin tim, Partizani ka lojtarë cilësorë dhe elemente të rinj. Mendoj se Partizani me ato oshilacionet e saj, na ka dhuruar spektakël dhe na ka kënaqur. Në eksperiencën time, trajnerët italianë nuk japin kurrë dorëheqje”- u shpreh Lila.