Punimet në stadiumin e Kukësin vazhdojmë me ritme të shpejta. Gjatë kësaj periudhe është shtrimi i stolave, ndërsa do të punohet edhe me shtrimin e tapetit. Klubi në postimet e bëra në faqen zyrtare ka bërë me dije se stadiumi “Zeqir Ymeri” do të jetë gati më 15 tetor.

Anëtari i Komitetit Ekzekutiv në Federatën Shqiptare të Futbollit, Arben Dervishaj, nuk është i këtij mendimi dhe në një intervistë për MCN TV ka zbuluar se ndeshja e parë në stadiumin e Kukësit do të luhet vetëm në fund të muajit tetor.

“Tani që po flasim kanë përfunduar punimet e brendshme në tribuna. Do të përfundojë vendosja e stolave pas portave. Nga fillimi i javës tjetër do të fillojë edhe tribuna VIP. Sistemi i ndriçimit është gati. Deri më 15 tetor do të jetë gati, përveç fushës. Pasi të vendoset tapeti, aty duhet që të qëndrojë 2 javë, për të qenë gati. Them se maksimumi deri në fund të muajit tetor, stadiumi i Kukësit do të jetë gati për t’u zhvilluar ndeshje aty.

Shtëpia e futbolli? Ne kemi realizuar punimet e jashtme të tribunës. Jemi duke diskutuar që të bëhen një kat, që do të shërbejë si parking, për Federatën, por edhe si parking publik. Do ndihmojë edhe Federatën edhe të ardhurat.

Federata pas një studimi, pa se raporti i futbollistëve me fushat ishte i keq dhe për këtë arsye u vendos të merrte jetë projekti “100 fushat”. Ne iu drejtuam qeverisë për këtë. Nuk na kthyen përgjigje, që të financonte 1/3-ën. Kur hartuam projektin, e kishim kështu, që nuk do bënim vetëm fushën, por të gjitha që ishin të nevojshme, nga rrethimi, dhomat e zhveshjes, apo edhe makineritë për mirëmbajtjen e fushave.

Për klubin e Kukësit do të ndërtohet një fushë stërvitore, për të ruajtur fushën e stadiumit. Federata po mundohet të investojë sa më shumë në ambientet sportive. Shpresojmë që edhe qeveria të bëjë një kthesë dhe të mbështesë këtë. Nuk është në përfitim të Federatës, por në përfitim të komunitetit”, u shpreh Dervishaj.