Përfaqësuesja e Anglisë U21 ka humbur shërbimet e dy futbollistëve për ndeshjen e saj të së premtes që do të luajë kundër Shqipërisë në stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër.
Federata Angleze ka bërë të ditur se ekipi i drejtuar nga Eidi Bothrojd do të përballonte këto ndeshje me një kontingjent më të vogël nga sa ishte planifikuar fillimisht.
Mbrojtësi Llojd Kelli i Bornmuth dhe sulmuesi Sem Starrixh i Suonsit, janë të dy të dëmtuar e kësisoj nuk i janë bashkuar ekipit për të përgatitur sidën e kësaj fundjave ndaj Shqipërisë U21.
Federata ka vendosur që të mos zëvendësojë për momentin këta lojtarë, duke menduar që të mbyllë një herë ndeshjen me Shqipërinë e më pas të shohë nëse i duhen elementë të tjerë për miqësoren e planifikuar në javën e ardhshme.
Kelli është një prej futbollistëve me më shumë eksperiencë në radhët e prapavijës së Anglisë, me 6 ndeshje të zhvilluara me këtë grup lojtarësh në ciklin e ri.
Ndërsa Starrixh ishte afruar pas formës së mirë që kishte shfaqur me Suonsi, ku në këtë sezon duke luajtur me ekipin e parë ka shënuar 2 gola në Championship. /vipsport/