Bashkia Shkodër do të investojë plot 70 milionë lekë të vjetra për rikonstruksionin e pallatit të sportit “Qazim Dervishi” gjatë vitit 2014. Një shifër kjo e konsiderueshme kur kemi parasysh se I gjithë buxheti I shtetit shqiptar për investimet në sport për këtë vit, do jetë vetëm 200 milionë lekë. Lajmi konfirmohet nga drejtori I klubit shumësportësh Vllaznia Mark Kroqi, në një intervistë për gazetën www.shkodrasport.com kur thotë:

“Në projektet e Bashkisë Shkodër për vitin 2014 është planifikuar edhe ndërhyrja sërish në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”. Një ndërhyrje e tillë ka qenë mëse e nevojshme sepse ai është shumë i amortizuar dhe për më tepër, përveç zhvillimit të kampionateve kombëtare, duhet të plotësojmë edhe disa kritere të Federatave europiane për të luajtur ndeshje ndërkombëtare në to. Për këtë arsye më duhet të falenderoj Bashkinë Shkodër për këtë investim të konsiderueshëm prej 70 milionë lekësh të vjetra. Them të konsiderueshëm duke pasë parasysh se i gjithë buxheti i shtetit shqiptar, i planifikuar për investime në sport për vitin 2014 është vetëm 200 milionë lekë të vjetra. Me këtë fond, besoj të mjaftueshëm, pallati i sportit “Qazim Dervishi” do bëhet shumë funksional”.Por çfarë do bëhet konkretisht në këtë impiant sportiv. Këtë e sqaron vetë drejtori Kroqi teksa deklaron se ndërrimi I parketit të fushës dhe shtimi I kapacitetit të këtij pallati, janë investime që do ia vlejnë edhe për të ardhmen. “Do ndërrojmë parketin e pallatit të sportit e përpos kësaj, fusha do zgjerohet me 1.5 sepse do heqim rreshtin e parë të stolave. Për ta kompesuar këtë gjë, në pjesën e sipërme, do të shtojmë edhe tre rreshta të tjerë me strukturë metalike për të shtuar kapacitetin e pallatit të sportit. Bashkia ka ngarkuar një grup specialistësh dhe inxhinierësh për këtë qëlli, në mënyrë që investimi t’i rezistojë kohës”- ka thënë drejtori Kroqi.Në këtë mënyrë, falë insistimit të drejtuesve të klubit dhe gatishmërisë së Bashkisë për të përmirësuar kushtet e këtij impianti sportiv, në fund të këtij viti ai do të bëhet shumë funksional  jo vetëm për sportistët por edhe për tifozët që do ndjekin ndeshjet dhe aktivitetet sportive që do të zhvillohen aty.

Gjergj KOLA