Ndeshja Vllaznia- Partizani do të luhet ditën e dielë në orën 14.00 në stadiumin “Loro Boriçi”. Ky është orari që ka vendosur Federata Shqiptare e Futbollit për zhvillimin e kësaj ndeshje. Në fakt ky institucion kishte planifikuar fillimisht ditën e shtunë për luajtjen e këtij takimi por drejtuesit e Vllaznisë kanë kërkuar shtyrjen me 24 orë dhe kjo kërkesë është miratuar. Përveç kësaj, nisur edhe nga rëndësia e madhe që ka kjo ndeshje, drejtuesit e klubit shkodran kanë vendosur që të vënë sërish çmime simbolike biletash edhe për këtë ndeshje teksa një biletë në tribunën qendrore do kushtojë vetëm 2 mijë lekë të  vjetra ndërsa një biletë në tribunën përballë vetëm 1 mijë lekë të vjetra.

Kjo bëhet me qëllim për afrimin e sa më shumë tifozëve për këtë ndeshje ashtu si në takimin e para tre javëve po ndaj kësaj skuadre ku ishin të pranishëm mbi 6 mijë tifozë shkodranë. Kjo gjë kërkohet edhe këtë herë sepse Vllaznia ka nevojë për mbështetjen e këtyre tifozëve ngaqë ajo ndodhet në një moment shumë kritik dhe me ndihmën e tyre mund të arrihet fitorja, çka do ishte një trepikësh me shumë vlerë për ecurinë e mëtejshme në kampion. Kuqeblutë kanë nevojë për tifozët edhe ngaqë skuadra nuk është e plotë as në takimin ndaj Partizanit ngaqë me shumë mundësi, do të mundojë sërish sulmuesi Bushiç dhe mbrojtësi Gocaj, të dy të dëmtuar. Po ashtu do mungojë për arsye kartonash mesfushori Nikoliç ndërsa I dëmtuar është Beqiri. Me gjithë këto probleme, stafi drejtues I përbërë nga Samuel Nikaj dhe Avenir Dani, duke patur pranë edhe drejtorin sportiv Armir Grima, do kenë jo pak probleme për ndërtimin e formacionit megjithatë pritet që ata t’ia dalin me sukses. Barazimi në Kukës dhe për më tepër loja e zhvilluar, janë një garanci për kthesën e skuadrës.

© shkodrasport.com