E ndërsa kombëtarja shqiptare e boksit për 18 vjeçarë ka hyrë në përgatitjet e fundit për kampionatin botëror që zhvillohet muajin e ardhshëm në Bullgari, problem ka dalë gjetja e fondeve për udhëtimin drejt këtij vendi. Kjo ngaqë fondet e Federatës së boksit nuk hapen deri në muajin maj, ndërkohë që presidenti I saj, Gjergj Leqejza duket se ka deklaruar që nuk do paguajë për këtë gjë. Në rrethana të tilla, trajneri I kombëtares Zef Gjoni, në një prononcim për mediat është shprehur I indinjuar në lidhje me një situatë të tillë.

“Situata në fakt është e papranueshme. Kemi të bëjmë me një ekip kombëtar për të cilin nuk po kujdeset askush. Kombëtarja e 18 vjeçarëve është para një evenimenti të rëndësishëm siç është Botërori dhe ku kemi shpresa për medalje por në fakt këtë e harrojnë. Ne kemi rreth dy muaj të grumbulluar. Fillimisht për 10 ditë në Shëngjin falë dashamirësisë së kryetarit të komunës Salvator Kaçaj. Më pas boksierët janë grumbulluar në Shkodër me shpenzimet e familjeve të tyre dhe të klubit Vllaznia. Por tashmë që vjen momenti i fundit për pjesmarrjen në Botëror, na thonë që s’kemi lekë të shkojmë në Bullgari. Fondet e Federatës siç dihet hapen në muajin maj ndërkohë që presidenti i Federatës ka deklaruar se nuk paguan lekë. Kjo është situatë e pakuptimtë. Presidenti për këtë qëllim ka ardhur në krye të Federatës. Të sponsorizojë kur të jetë nevoja sepse kështu na pat premtuar në fillim. Ka shumë biznesmenë të tjerë që janë të gatshëm të investojnë nëse do zgjidhen në postin e presidentit dhe në kushte të tilla, me shumë mundësi shumë shpejt do të kërkojmë zgjedhje të reja. Nuk mund të vazhdojmë në këto kushte. Këto janë e ardhmja e boksit dhe të gatshëm për t’i sjellë medalje Shqipërisë, por askush nuk kujtohet për to”- ka deklaruar ai. Në këtë mënyrë, gjërat tashmë bëhen edhe më problematikë. Para një kampionati botëror ku ka shpresa për marrjen e medaljeve, në plan të parë del sërish mungesa e fondeve. Kjo tregon më së miri për gjendjen e mjerueshme në të cilat ndodhen Federatat tona.
Gjergj KOLA