Andreas Ndoj mund të kishte ecur në gjurmët e Thomas Strakoshës dhe Ergys Kaçes duke lënë gjurmë në Kombëtaren shqiptare, por vendosi të ndjekë udhën e Sotir Ninit, Gjergji (Panajot) Kones dhe Fiorin Durmishajt duke zgjedhur të luajë për Greqinë. Është e drejta e tij ta bëjë, sado që kjo mund të lëndojë shumë shqiptarë. Por mënyra se si Andreas Ndoj, mesfushori me tipare mbrojtëse, 19- vjeçar, i Olimpiakosit, vendosi të ikte sërish te Greqia, ka hapur plagë të vjetra dhe një debat të ri.

Po, sepse ai fillimisht ka luajtur me Kombëtaren U-16 të Shqipërisë (4 mars 2019). Më pas ka luajtur 6 ndeshje me Kombëtaren U-17 dhe tri ndeshje me kombëtaren U20 të Greqisë. U pendua. Vendosi që të vinte sërish me Shqipërinë dhe më 23 shtator të këtij viti 19-vjeçari 190 cm i gjatë luajti me Shpresat e Shqipërisë.

Po pastaj? Më 19 shtator firmosi se donte të ndryshonte kombëtare, pra të luante me kuqezinjtë dhe më 28 tetor FSHF-ja dërgoi shkresë në KAS (procedurë standarde) se do të luajë përfundimisht me Kombëtaren shqiptare, atë të prindërve të tij. Mirëpo sërish Ndoj ndërroi mendje dhe dje ka njoftuar federatën se nuk do të luajë me Shqipërinë, por me Greqinë. Po, fiks kështu. Dhe tani situata është komplikuar. Babai i Andreas, Anesti Ndoj, thotë ekskluzivisht për “Panorama Sport”, se vendimi që i biri të luante përfundimisht me Greqinë ishte tiji.


Zoti Ndoj pse ky ndryshim i vendimit nga Andreas? Ishte vendimi i familjes apo i djalit tuaj?

Nuk është vendim vetëm i prindërve, ashtu na e mori mendja të gjithëve dhe kështu kemi vendosur.


Edhe djali ishte dakord me atë?

Kur është prindi duhet të jetë edhe djali dakord, sepse djali duhet të shkojë pas prindit. Unë e kam bërë djalin dhe jo ai mua.

Por djali juaj është njëri i lirë, mund të dojë të luajë për një kombëtare tjetër…

Jo, jo nuk është i lirë sa të jem unë gjallë. Jam unë një herë, pastaj djali. Por megjithatë kemi vendosur si familje.


Nuk ju paragjykojmë, sepse secili sheh interesat e veta, por çfarë ndodhi që ndryshuat sërish vendim pasi ai luajti me Shpresat e Shqipërisë?

Mua më vjen inat, sepse kur djali erdhi në Shqipëri me Kombëtaren U-21 nuk ka dashur të vendosë firmën, sepse ai nuk është pa nënë dhe pa babë.


Cilën firmë?

Firmën që ka publikuar FSHF-ja se djali dëshiron të luajë me Shqipërinë. Shikoni, unë kam bërë gjithë ato kilometra që shkova ta shikoja djalin në Kroaci. Por ka ca rregulla edhe si shtet edhe si federatë… Kush janë ata aty që vendosin për të tjerët?! A nuk mund të më merrnin mua si prind dhe të thoshin: “Z.Ndoj, ne kemi vendosur që ta marrim djalin”… Pse ta bënin kështu? Prandaj jam i inatosur. Djali ka vënë firmën aty pa më pyetur fare mua si prind.


Dakord, por çdo prind apo familje është e nderuar kur djali i thirret me ekipin kombëtar apo jo?

Po, e mirëpres, shumë gjë e mirë është. Puna është se djali ka lindur këtu, ka marrë pasaportë greke, është shkolluar këtu. Është tjetër djali dhe tjetër unë. Unë jam shqiptar, kam nderin që jam shqiptar, jam prej Malësisë dhe nuk e mohoj, si unë si familja, por me djalin nuk është njësoj.

Pse?

Përderisa djali ka bërë shkollën këtu, edhe ushtar do të jetë këtu. Pastaj, pse kur ka luajtur për moshat e Greqisë më kanë marrë dhe më kanë pyetur nga federata greke?!

Por atëherë ndoshta ka qenë nën 18 vjeç dhe e kishin detyrim t’ju pyesnin…

Unë kam dashur që ai të jetë i lirë, nuk e lidh aspak me asnjë. Djali ka vendosur vetë, por ata (FSHF) ia kanë marrë firmën pa më pyetur mua dhe këtu e kam inatin. Dje i kam çuar e-mail Dritan Babamustës dhe Denis Lilos, që dëshira jonë është që djali të jetë me kombëtaren greke. Ky është muhabeti. Ndërkohë, kanë shkruar të gjitha portalet, bëri këtë e bëri atë… Nuk merrem me ato.


Ju z.Ndoj nga jeni?

Nga Shkodra.

Përse vendoset që djali juaj të luajë për Greqinë dhe jo për Shqipërinë?

Ashtu ma mori mendja.


Këtu të gjithë luftojnë për të luajtur me Kombëtaren shqiptare dhe pak ia arrijnë…

Po janë punët e mia ato mor zotëri. Diçka që thyhet njëherë nuk kthehet më si më parë. Nuk ma kthen kush mendjen. Çdokush ka të drejtën e vet.


Pse, çfarë është thyer?

Është thyer pra, sepse ia kanë marrë firmën pa i pyetur prindërit.

A jeni konsultuar me të afërmit apo ishte vendim tërësisht juaji?

Po, e kam biseduar, me bashkëshorten dhe kështu kemi vendosur.