21-vite më parë ka dalë kampion në stadiumin “Loro Boriçi”, duke përfaqësuar denjësisht fanellën e Vllaznisë. Fjala është për Saimir Patushin, i cili ka lënë gjurmë të mëdha tek kjo skuadër.

Sa herë flitet për Vllazninë, ai bëhet shumë nostalgjik për ish-ekipin e tij, qytetin e Shkodrës dhe tifozërinë e saj. Një gjë e tillë ka ndodhur edhe këtë javë në emisionin “Sport Show” në TV1-Channel, teksa ish-futbollisti i Vllaznisë i bëri një analizë të gjatë ecurisë së ekipit shkodran, por jo vetëm, pasi u ndal edhe tek “Klasikja” e kësaj jave, Tirana-Vllaznia.

Patushi u shpreh shumë i keqardhur kur ka parë se kishte më shumë grintë në fushën e lojës ekipi i 17-vjeçarëve se sa skuadra e parë e Vllaznisë. Poashtu ndër të tjera, ai theksoi edhe se asnjë ekip në Shqipëri nuk e ka tifozërinë që ka Vllaznia dhe Shkodra. Megjithatë, për më tepër, mund të lexoni prononcimin e tij të mëposhtëm gjatë emisionit “Sport Show” në TV1-Channel.

Fitorja ndaj Kukësit – “Të them të drejtën, ky fillim sezoni për Vllazninë më duket mirë për momentin, pasi ky emër meriton shumë. Unë besoj se ka pasur ulje-ngritje për këto 11-javë, por kryesorja është java e fundit ndaj Kukësit. Java e fundit unë besoj se ka qenë një Vllazni e mirë, një Vllazni e mirëvendosur. Një Vllazni që duhet të jetë kështu dhe duhet të ishte kështu që nga java e parë, por ka problematika të jashtëzakonshme akoma dhe them se është çështje kohe. Kjo fitore ndaj Kukësit erdhi në kohën e duhur ose ishte reagimi i duhur që ne dëshirojmë të gjithë.”

“Klasikja” Tirana-Vllaznia – “Në ditët e sotme, nuk është se ka rëndësi faktori fushë se ku do të luhet. Terrenet të lënë të luash futboll, stadiumet janë shumë të mira. Nuk është si njëherë e një kohë kur luanim ne që dy-tre stadiume ishin të mira. Megjithatë, është diçka e mirë, sepse Vllaznia vjen nga një rezultat pozitiv dhe poashtu edhe Tirana, që tashmë gjen veten në vend të parë. Mos të harrojmë se futbollit i bën mirë, si Vllaznia, ashtu edhe Tirana. Çdo vit që këto ekipe janë ndeshur kanë dhënë një spektakël të jashtëzakonshëm.

Unë besoj që të dy ekipet vijnë shumë të mobilizuara që të marrin maksimumin dhe besoj që, do të jetë një 90-minutësh shumë i fortë. Mos të harrojmë edhe diçka, sa herë dikush ka nxituar ose ka dashur të fitojë, është ndëshkuar dhe uroj që Vllaznia këtë ndeshje mos të nxitohet. Unë uroj që të fitojë Vllaznia, sepse bëhet më i bukur kampionati. Realisht, Vllaznia duhet të fitojë, sepse i bën mirë kampionatit.

Gjendja e Tiranës dhe Vllaznisë – “Asnjëherë nuk ka ndeshje të lehtë në gjithë kampionatin. Po të marrësh dhjetë ekipet, të gjitha kanë shkallën e vet të vështirësisë. Në qoftë se, konsiderohet një ekip i lehtë dhe një ekip superior, bëhet gabim. Të gjitha janë ekipe të forta dhe Vllaznia duhet t’i mundë nëse do të dalë kampion. Në këtë ndeshje, unë besoj se Vllaznia vjen shumë mirë, pasi vjen pas një 90-minutëshi me fitore dhe ky ekip është në rritje.

Poashtu, edhe Tirana është në rritje, sepse mos të harrojmë edhe diçka tjetër, ka marrë vendin e parë me meritë, nuk ia ka dhuruar njeri. Janë të dyja ekipet në top-formë dhe mund të dhurojnë spektakël. Ajo pjesa e tifozërisë, Vllaznisë asnjëherë nuk i ka munguar, siç ka luajtur në Tiranë, por edhe në Shkodër. Tirana-Vllaznia është një ndeshje deçizive për të dy ekipet, ndeshje deçizive edhe për kampionatin, sepse i bën mirë që Vllaznia të fitojë dhe do vazhdojë rrugën drejt titullit. Në Tiranë, çfarë ne kemi parë këto sezonet e fundit, Vllaznia ka luajtur shumë më mirë se sa në Shkodër dhe uroj të jetë ashtu edhe ky 90-minutësh.”

Vitet e Patushit në Shkodër – “Unë jam ndjerë mirë te Vllaznia. Një peng i imi është që nuk kishte jetëgjatësi të madhe që unë të isha te Vllaznia. Ashtu si ma ndjen zemra, ashtu e them. Jam lumturuar si një fëmijë i çmendur kur kam dalë kampion vitin e parë te Vllaznia dhe çdo gjë e kam nisur nga Vllaznia dhe pjesa tjetër te Tirana ishte “qershia mbi tortë”.

Sa herë do të ndeshen Vllaznia-Tirana, si ekipi i parë apo edhe moshat, unë do të jem në stadium për t’i ndjekur. Momenti im më i veçantë te Vllaznia ishte ndeshja e parë përballë publikut shkodran. Unë nuk e imagjinoja ashtu Shkodrën, nuk e imagjinoja ashtu futbollin. Mund të themi ishte ëndrra që u bë realitet e një fëmije që do të dalë kampion kur fillon futbollin dhe kjo ishte gjëja më e bukur e jetës time.”

Grinta e ekipit – “Te Vllaznia e sotshme duhet të ketë sa më shumë grintë. Nuk duhet të kënaqesh me pak. Një pjesë të mirë të futbollistëve i shikoj si të fjetur ose mund të themi të fryrë, por duhet të jenë me këmbë në tokë. Te Vllaznia, futbollistët duhet të jenë sa më shumë punëtorë. Unë besoj se Vllaznia ka një grup futbollistësh cilësorë dhe karakteri i lojtarëve ndryshon shumë. Duhet të kenë një karakter luftarak.

Dy javë më parë, isha në Shkodër dhe pashë ndeshjen e U-17, Vllaznia-Tirana dhe kur pashë ekipin e parë të Superiores, duke luajtur, u çmenda. Kishin më grintë U-17 se sa ekipi i parë i Superiores. Eshtë për të ardhur keq. Duhet të ndryshojnë shumë gjëra, sepse ai qytet, ajo tifozëri meriton një ekip të jashtëzakonshëm. Për sa kam marrë vesh, ana financiare nga presidenti Xhaferi nuk mungon te Vllaznia dhe kur ekipi nuk ecën, është për të ardhur keq.

Funksionimi në lojë i Vllaznisë – “Te Vllaznia, elementi duhet të gërshëtohet. Në fakt, ka katër-pesë vite që Vllaznia ka shumë elementë të mirë dhe cilësorë, sidomos në fazën ofensive është mbreslënëse. Megjithatë, ndonjëherë sado elementë cilësorë të kesh, në qoftë se këta nuk harmonizohen bashkë, asgjë nuk funksionon. Nuk ka Vllaznia nga ata futbollistë që mund ta marrin ekipin për dore, që mund të themi lirshëm se e marrin përpara. Duhet të funksionojë në tërësi si grup.

Kur funksionon çdo gjë në grup dhe kur janë të mirëorganizuar, kur shkrihet edhe talenti, edhe grinta, atëherë çdo gjë funksionon. Mos të harrojmë që asnjë ekip në Shqipëri nuk e ka tifozërinë që e ka Vllaznia. Stadiumet janë bosh, kurse në Shkodër një pjesë e mirë afrohen. Megjithatë, që t’i ta afrosh këtë tifozëri, duhet t’u japësh stimulin me lojën në fushë, që të paktën të rrespektosh atë sportdashës që vjen dhe të shikon.”
Maringlen ZHIVANI