Saturday, April 18, 2026
FAQJA E PARE KRYESOREOpinion nga Luan Shpuza/ Kritikat për infrastrukturën sportive në Shkodër, një alarm...

Opinion nga Luan Shpuza/ Kritikat për infrastrukturën sportive në Shkodër, një alarm i vonuar

Kritikat e fundit të presidentit të FSHF-së në drejtim të Bashkisë Shkodër për projektet e fushave sportive nxjerrin në pah një realitet shqetësues: mungesën e vizionit dhe angazhimit konkret nga drejtuesit e sportit në nivel lokal.

Është e vështirë të mos konstatohet një pasivitet i theksuar, si në Bashki ashtu edhe në klubin Vllaznia. Ndërkohë që Federata ka kërkuar në mënyrë të vazhdueshme përmirësimin e kushteve stërvitore dhe investime në fusha të reja, në Shkodër këto kërkesa duket se kanë mbetur në sirtarë.

Shembujt nga qytete të tjera janë domethënës: në Gjirokastër janë përuruar tre fusha të reja sportive, ndërsa në Kamëz po përfundon një kompleks modern. Në të kundërt, Shkodra vazhdon të mbetet prapa, edhe pse ka në dispozicion disa hapësira publike si në Bërdicë, Barbullush, Myselim, Shtoj, Trush apo Rrenc, të cilat mund të zhvilloheshin me projekte konkrete.

Një tjetër shqetësim lidhet me mungesën e aftësisë për të përfituar nga fondet ndërkombëtare, përfshirë ato të UEFA-s. Kjo tregon jo vetëm mungesë profesionalizmi, por edhe një dëm të drejtpërdrejtë për zhvillimin e sportit në qytet.

Po ashtu, mbetet ende një premtim i pambajtur projekti për muzeun e sporteve, një iniciativë që do të kishte vlerë të madhe historike dhe kulturore për Shkodrën.

Nga ana tjetër, mënyra si janë organizuar disa aktivitete sportive ngre pikëpyetje serioze. Kosto të larta për pjesëmarrësit, mungesë transparence për të ardhurat dhe përdorim i emrit të Bashkisë pa përfitime të dukshme publike janë elementë që kërkojnë hetim dhe përgjegjësi.

Nuk mungojnë as problematika të tjera, si funksionimi i aktiviteteve private në ambiente publike pa licencë apo pa respektuar detyrimet ligjore, çka dëmton jo vetëm financat publike, por edhe barazinë në trajtimin e bizneseve.

Sporti në Shkodër ka nevojë për një qasje të re: më shumë transparencë, menaxhim profesional dhe investime të mirëplanifikuara. Nuk mund të ketë zhvillim me standarde të dyfishta apo me mungesë përgjegjshmërie institucionale.

Është koha që drejtuesit të zgjohen nga kjo gjendje pasiviteti dhe të vendosin interesin e sportit dhe qytetit mbi çdo interes tjetër.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments