Vllaznia do e mbyllë kampionatin para pushimeve të Botërorit me ndeshjen e së shtunës kundër Tiranës. Klasikja do jetë “qershia mbi tortë” për të dy ekipet, duke parë edhe formën e mirë e objektivat që kanë. Patjetër kuqeblutë do kërkojnë që të bëjnë një performancë sa më pozitive.

Kjo për të vijuar formën e mirë, por edhe për të tentuar kreun e klasifikimit para pushimeve. E në krahun e shkodranëve ka nga ata futbollistë që e njohin mirë Tiranën, madje edhe duke iu shënuar në të shkuarën. Duke filluar nga kapiteni Gurishta që para 5 vitesh i jepte një fitore Vllaznisë në kryeqytet me golin e tij kundër bardhebluve.

Për të vijuar me Herald Markun që në sezonet e fundit e ka gjetur shpesh rrjetën kundër Tiranës. Dhe jo më larg se takimi i fazës së parë të fituar 1-2 nga skuadra e Joses. Po ashtu edhe Esat Mala është nga ata lojtarë që i njeh mirë sfidat përballë Tiranës. Kjo nga e shkuara e tij me Partizanin ku edhe ka shënuar në derbi.

Ardit Hoxhaj, Kaina dhe Aralica nga pjesa sulmuese po ashtu kanë shënuar në të shkuarën kundër Tiranës. Qoftë me Vllazninë apo edhe me skuadrat e tjera ku janë aktivizuar.

Kjo patjetër që ngroh në kampin kuqeblu duke pasur kaq shumë futbollistë që në të shkuarën kanë qenë protagonistë në duelet kundër Tiranës.
Endri ÇINARI