Shqipëria rikthehet në Serbi 11 vite më vonë, ku këtë radhë do të luajë në kuadër të kualifikuese të Kupës së Botës.
Ansi Agolli është i mendimit se skuadra jonë e ka kualitetin për të dalë me fitore nga kjo sfidë. Në një intervistë për “Panorama Sport”, ish-mbrojtësi kuqezi që ka mbajtur edhe shiritin e kapitenit, shprehet se skuadra kuqezi e ka rritur nivelin, ndërkohë që u ndal edhe te ndeshja e famshme e 14 tetorit 2014, kur kuqezinjtë fitonin në tavolinë me rezultatin 0-3.
Ansi, një ndeshje shumë e rëndësishme për Shqipërinë… si e sheh?
Po, mendoj se çdo ndeshje ka qenë e rëndësishme për Shqipërinë, për skuadrën tonë kombëtare. Këto 7 vitet e fundit, sa mbaj mend, çdo ndeshje ka pasur interes, është pritur me shumë vëmendje, por kjo e radhës është edhe më e veçantë. Kjo ndeshje, për shkak të kundërshtarit që kemi përballë dhe për shkak të rëndësisë në kualifikimet për Botërorin, merr një tjetër peshë. Nga ky këndvështrim, do t’i japim rëndësinë që i takon. Megjithatë, duhet të kemi kujdes që të mos e mbingarkojmë me emocion apo presion, sepse në fund të fundit është një ndeshje si të gjitha të tjerat, sado e rëndësishme të jetë. Unë do të thosha që çdo ndeshje ka rëndësinë e vet dhe grupi është ai që bën diferencën. Kjo ndeshje specifike do të tregojë shumë për vazhdimësinë tonë. Do të shihet qartë sa e fortë është dëshira e skuadrës dhe sa të qarta i kemi objektivat.
A mendon se Shqipëria e ka kualitetin të marrë 3 pikët?
Po, unë mendoj se ka. Ka kualitetin për ta marrë këtë ndeshje dhe për ta çuar në favorin tonë. Mendoj se është një situatë që, jo se është domosdoshmërisht në favorin tonë, por është disi në disfavor të Serbisë, për shkak se ata luajnë në fushën e vet dhe kanë presionin më të madh për të treguar diçka ose për të marrë një rezultat. Për këtë ndeshje, unë mendoj se ne duhet të jemi të qetë, të ftohtë. Duhet të kryejmë detyrat tona ashtu siç i bëmë në ndeshjen e parë. Ta përgatisim ndeshjen në të njëjtën mënyrë si herën e kaluar. Pastaj është fusha ajo që flet, dhe janë detajet ato që bëjnë diferencën.
Çfarë duhet bërë në Leskovc, për të dalë me pikë të plota?
S’kërkojmë asgjë më shumë sesa të jemi ajo Shqipëri që kemi treguar në këto vitet e fundit. Marr për shembull ndeshjen e parë, sepse mendoj se ishte një performancë shumë e mirë e skuadrës sonë. Ndeshja e parë kundër Serbisë ishte konstante, skuadra tregoi stabilitet dhe u duk qartë që ishte përgatitur mirë, sidomos nga ana psikologjike.
Dhe ky është aspekti kryesor: si të përgatitesh psikologjikisht për një ndeshje të tillë. Mendoj se nuk ka nevojë për shumë shtytje apo motivim shtesë. Vetë emri i kundërshtarit të karikon mjaftueshëm. Prandaj, përgatitja mendore përpara ndeshjes, detajet e vogla, janë ato që bëjnë diferencën. Të luash me kokë të ftohtë në fushë është gjëja më e rëndësishme.
Pastaj janë individët ata që bëjnë diferencën, ose më saktë, ato shanset që shpresoj të na jepen në këtë ndeshje. Shpresoj që t’i finalizojmë, sepse në fund fare, diferencën e bëjnë golat dhe realizimet. Shpresoj që, pse jo, në një ndeshje si kjo, të jemi konstantë në fazën mbrojtëse, ashtu siç ishim në ndeshjen e parë. Por edhe ato raste që na jepen përpara, të dimë t’i shfrytëzojmë sa më mirë, sepse janë golat që të japin tre pikët.
11 vite më parë, ju ishit në Beograd. Si e kujton atë ndeshje dhe gjithçka ndodhi?
Para 11 vitesh situata ka qenë krejt ndryshe. Domethënë, është diçka e ndryshme, si atmosfera, ashtu edhe ecuria e ndeshjes. Mendoj ndryshe nga sot; ajo ndeshje ishte e tensionuar për shkak të grupeve ekstremiste në stadium, që mezi prisnin të vinte momenti kur ne do të hynim dhe shfrynin për atë që kishin për të shfryrë.
Ndodhi ajo që ndodhi dhe u pa qartë në televizor. Nga aspekti sportiv, mendoj se ndeshja që luajtëm në Beograd ishte shumë e mirë, aq sa u luajt futboll në atë ndeshje. Ishte e përgatitur mirë dhe luajtëm me qetësi, përveç disa minutave të para. Pastaj erdhi dominimi ynë, si në raste, ashtu edhe në lojë; ishim qartë të përgatitur për atë sfidë që kishim përballë. Sigurisht, pasuan edhe ato ngjarje të tjera që i dimë të gjithë dhe që i kemi parë.
A mendon se mund të përsëritet historia?
Nuk mendoj se do të përsëritet ajo që ndodhi para 11 vjetësh. Nuk besoj. Situata është krejt ndryshe, po luajmë në një arenë, në një stadium tjetër, që do të jetë i kontrolluar mirë. Prandaj, unë besoj se gjithçka do të fokusohet te futbolli, te kjo ndeshje. Nuk mendoj se do të përsëritet.
Cili është ndryshimi që Shqipëria sot nga Shqipëria e 2014, përfshirë edhe Europianin 2016?
Shiko, kjo është një pyetje që nuk ndahet. Është gjithmonë kjo pyetje. Janë dy ekipe krejt ndryshe, me trajnerë të ndryshëm dhe me lojtarë të ndryshëm. Është një brez krejt tjetër. Le të themi që vetëm 2 lojtarë kanë mbetur nga ajo skuadër para 11 vitesh, dhe unë mendoj që për atë çfarë kishim mundësi, e bëmë atëherë.
Domethënë, ato objektiva që kishim, i arritëm në atë kohë. Nuk mendoj se meritonim diçka më shumë. Po flas në aspektin e një Botërori apo tentativave të tjera, sepse jo vetëm që ne kishim kundërshtarë shumë të fortë, si Spanja apo Italia në atë kohë, por tani kemi Serbinë, që nuk është ekip i dobët, dhe Anglinë, që është një skuadër shumë e fortë. Ky ekip i sotëm, mendoj unë, ka më shumë mundësi. Nëse kapësh lojtaret individualisht dhe shohësh cilësinë që kanë, ata kanë më shumë mundësi për ta arritur atë që duan.
Në një vlerësim të përgjithshëm, çfarë mendon se duhet ndryshuar në skuadër për të qenë më kompetitivë?
Po shiko, unë mendoj se skuadra është kompetitive. Nuk është se kemi një ekip që luan si i barabartë me çdo skuadër, dhe pastaj merr rezultatin, por… nuk e di. Të luash kundër Anglisë, Francës, Spanjës apo ekipeve të tjera të mëdha dhe të marrësh rezultat prej tyre është një kërkesë shumë e madhe. Megjithatë, skuadra është kompetitive, por siç thashë edhe në fillim ka mundësi për më shumë. Kjo skuadër ka potencial të bëjë akoma më mirë, sepse shoh talent dhe kualitet tek lojtarët. Sidomos në ndeshjet që janë në nivelin tonë apo më poshtë, ku në letër mund të jemi më të fortë se kundërshtarët, mund të krijojmë një identitet të qartë loje.
Me skuadrat e mëdha është e vështirë të kontrollosh lojën, sidomos kur ke topin, sepse ato nuk të lejojnë të bësh atë që dëshiron, është pothuajse absurde ta mendosh ndryshe. Por unë mendoj se mund të bëjmë më shumë me skuadrat mesatare ose më të vogla, ku mund të krijojmë një stil loje që ta përdorim vazhdimisht. Sepse siç thashë edhe më parë, mund të ndërtojmë diçka më të fortë dhe me më shumë mundësi për sukses.
Duka tha se e ardhmja e Silvinjos varet nga Botërori. Ju personalisht, si e keni parë brazilianin?
Po shiko, Silvinjo pati një fazë kualifikuese mjaft të mirë për Europianin dhe vetë Europiani ishte diçka pozitive. Por, mos harro që kjo është e pritshme, pasi arrin një objektiv, të gjithë ekipet e kalojnë këtë fazë, edhe klubet. Ajo që është e rëndësishme më pas është a mund ta mbash skuadrën aty, sa mundesh ta karikosh dhe ta mbash gjallë që të vazhdojë të performojë. Nga ana tjetër, kundërshtarët nuk të shohin më me të njëjtin sy si para Europianit; ata përpiqen të të studiojnë më shumë, të rrisin kërkesat ndaj vetes dhe skuadrës së tyre. Menaxhimi i kësaj situate, pas arritjes së objektivit, dhe përpjekja për të ecur përpara, nuk është aspak i lehtë. Mund ta krahasoj me ndeshjet që kemi zhvilluar këtë vit. Për shembull, ndeshja me Serbinë ishte shumë e mirë dhe pozitive, edhe pse mungoi goli. Aty u duk që ekipi kombëtar ngroh dhe në formë. Por vetëm disa ditë më pas luajtëm kundër Letonisë, një ndeshje jo në nivelin tonë. Pra, pasi ke një rezultat të mirë, ke ndeshje jo në nivelin tonë. A mund të qëndrosh konstant? ky është problemi më i madh që mund të kemi. Sa konstant duhet të jemi? Kjo është vështirësia më e madhe për trajnerin dhe për skuadrën, të qëndrosh konstant, që nuk është aspak e lehtë.
Çfarë mesazhi do ju jepje lojtarëve?
Mesazhi më kryesor i kësaj ndeshjeje është që lojtarët të jenë psikologjikisht të përgatitur mirë, sepse ajo ëhstë se sa e përgatit dhe të mos biesh pre e gjërave të tjera jashtë fushe. Mendoj se nuk ka nevojë për karikim shtesë, sepse vetë kundërshtari që kemi përballë karikon automatikisht. Mendoj se nëse do të thuash diçka për të karikuar, i mbikarikon më shumë. Lojtarët janë profesionistë dhe e dinë si të përgatiten për një ndeshje të tillë, në një natë kaq të veçantë dhe me kërkesat që ajo ka. Kjo është pika më kryesore.