Volejbollisti shkodran ka firmosur kontratën me ekipin e tij të ri, TV Buhl dhe zyrtarisht tashmë është pjesë e tij dhe shumë shpejt do të nisë stërvitjen me të. Lajmin e ka konfirmuar vetë klubi gjerman i cili përveçse i ka uruar mirëseardhjen, e ka siguruar se Buhl do të jetë shtëpia e tij e dytë. Natyrisht që një lëvizje e tillë konsiderohet shumë e rëndësishme për karrierën e 20 vjeçarit i cili prej 3 sezonesh ka qenë një ndër emrat më të spikatur të volejbollit shqiptar.

Dy muaj më parë ai u shpall kampion i Shqipërisë me ekipin e Vllaznisë për të cilin dha një kontribut shumë të madh.  Jo vetëm kaq, por Anton Qafarena është edhe pjesë e rëndësishme e kombëtares shqiptare. Në ndeshjet e fundit të Ligës së Europës ai dha kontributin e tij në arritjen e disa rezultateve pozitive. Volejbollisti shkodran menjëherë pas përfundimit të këtyre ndeshjeve ka udhëtuar drejt Gjermanisë për të firmosur kontratën me ekipin e ri por do të kthehet sërish në Shqipëri. Arsyeja është zhvillimi i Kampionatit Ballkanik të të rinjve ku ai do të jetë pika më e fortë e kombëtares tonë. Gjithsesi Anton Qafarena tashmë po sheh përtej. Kontrata me Buhl pritet të jetë një arsye më tepër për rritjen e cilësisë sportive të dymetroshit i cili luan në rolin e sulmuesit diagonal. Në një prononcim të shkurtër të dhënë për faqen zyrtare të klubit ai ka deklaruar se me këtë ekip për vitet e ardhshme është një mundësi shumë e madhe për të marrë më shumë përgjegjësi dhe për t’u shëndërruar në lider edhe atje.

© shkodrasport.com