Mbrojtësi kryeqytetas Endri Vrapi që nga dita e sotme është pjesë e ekipit Liria e Prizrenit. Ndonëse kishte ende ndonjë dilemë nëse do të luante me Vllazninë përsëri, nga dita e sotme tashmë nuk ka më një të tillë. 35 vjeçari duke parë që nga Shkodra nuk ka marrë asnjë telefonatë, ka vendosur t’i thotë “po” ofertës kosovare.

Prezantimi i tij është bërë ditën e sotme nga klubi i Lirisë. Por përveç tij, një tjetër ish- i Vllaznisë ka firmosur me këtë ekip. Bëhet fjalë për mesfushorin Jetmir Sefa. Jo vetëm kaq. Skuadra që drejtohet tashmë nga ish- kapiteni i Skënderbeut Blendi Shkëmbi ka marrë edhe të tjerë lojtarë nga Superliga shqiptare. Kampionati kosovar në këtë mënyrë ka filluar gradualisht “të boshatisë” atë shqiptar dhe ky do të jetë një problem në vitet e ardhshme. Gjithsesi, Vrapi tashmë nuk do të jetë më pjesë e Vllaznisë pas një sezoni e gjysëm të kaluar me të teksa ka lënë përshtypje përgjithësisht të mira tek të gjithë.

© shkodrasport.com