Pavarësisht zërave për një akord të arritur në mes drejtuesve të Vllaznisë dhe mesfushorit Edon Hasani, në realitet duket se kjo nuk ështe e përfunduar. Në rrjete sociale paraditen e së hënës është shkruar për një çështje të mbyllur por burime pranë klubit shkodran nuk e konfirmojnë një gjë të tillë. Kjo gjë nuk do të thotë se nuk mund të ndodhë në ditët e ardhshme.
Trajneri Cungu por edhe administrator Gjyrezi në prononcimet e tyre e kanë bërë të qartë dëshirën për të marrë këtë lojtar por kjo nuk është vetëm në dorën e tyre. Mesfushori 25 vjeçar ka patur edhe disa oferta të tjera por së fundi ndonjë prej tyre, si për shembull ajo e Flamurtarit, është sfumuar dhe në këto kushte, nuk përjashtohet mundësia që Hasani të rikthehet pas pesë vitesh në Shkodër. Ai do t’I bënte shumë punë stafit teknik sepse tek Vllaznia ka vite që mungon një lojtar me cilësi të tilla. Përveç Hasanit po flitet edhe për Gilman Liken por për këtë të fundit, nuk është e njëjta situatë. Çka do të thotë se shanset për të janë më të vogla që ai të vishet kuqeblu. Në pritje të zhvillimeve nga merkatoja, në stërvitjen e ekipit shkodran vazhdojnë të jenë të pranishëm 22 futbollistët e seleksionuar nga stafi teknik.
© shkodrasport.com