I ftuar në rubrikën sportive të Star Sport mbrëmë ka qenë edhe Arbër Shytani. Ish-mbrojtësi, tashmë në rolin e trajnerit ka komentuar për rinisjen e Superiores. Ai u ndal veçanërisht tek Vllaznia dhe ndeshja me Partizanin. Shytani po ashtu komentoi edhe situatën e merkatos dhe futbollistëve që ka momentalisht tek kuqeblutë.

Ai tha: “Skuadra kthehet pas dy javësh pa aktivitet futbollistik zyrtar dhe mendoj se ky pushim i ka bërë mirë ekipit. Zhvilloi një test miqësor me Kastriotin, një kundërshtar të Superiores. Por ekipit i mungoi shumë ritmi, pavarësisht se jam koshient që një duel prove nuk ka kurrë impenjimin e ndeshjeve zyrtare.

Provë për futbollistë të caktuar? Nuk e mendoj të tillë. Nuk mund të ngresh apo ulësh vlerat e një futbollisti nga një miqësore. Sepse nëse ndonjë nga ata që pretendohet se do largohen do bëntë mirë kundër krutanëve, atëherë do i binte të mos largohej. Mendoj se stafi i ka idetë shumë të qarta për futbollistët dhe nuk prisnin ndeshjen kundër Kastriotit për të caktuar se kush bën apo jo për skuadrën.

Pastaj në merkaton e janarit nuk mund të pretendosh lojtarë edhe aq cilësorë. Sepse ekipet nuk i lëshojnë futbollistët në këtë periudhë. Eksperienca e viteve të shkuara nuk është edhe aq pozitive në janar, ku nuk mund të pretendosh “mrekulli” në afrimin e elementëve të duhur.

Partizani të premten ? Një duel shumë i fortë dhe direkt. Patjetër dua suksesin e Vllaznisë që ta shoh lart. Por duhet të kenë kujdes edhe nga ekipet që vijnë nga poshtë siç është Laçi që po ngjitet shpejt. Uroj të marrin rezultat pozitiv pasi do ishte një moral edhe për vijimësinë e Superiores”.
Endri ÇINARI