Shkruar nga Maringlen ZHIVANI
Arbitrat shkodranë po rikthehen gradualisht në qendër të vëmendjes së futbollit shqiptar, duke dhënë sinjale të qarta rritjeje. Pas një faze jo të lehtë, Kolegjiumi i Shkodrës duket se po prodhon një brez me potencial real për nivelet më të larta të garës. Në Abissnet Superiore, prej disa sezonesh është aktiv arbitri Indrit Myrtja, i cili synon të zgjerojë hapësirën dhe besimin në ndeshje me peshë specifike më të lartë.
Paralelisht, edhe emra të tjerë nga Shkodra po marrin vlerësime pozitive për paraqitjet e tyre. Në çerekfinalen e djeshme të Kupës së Shqipërisë mes Egnatias dhe Teutës, e zhvilluar në “Egnatia Arena”, vendosi drejtësi arbitri shkodran Ditmir Grimci. Takimi u mbyll në barazim 0-0, pa kontestime nga asnjëra palë, një tregues i qartë i menaxhimit korrekt të situatave kyçe dhe kontrollit të lojës.
Grimci u assistua edhe nga anësori Ardit Çobaj, gjithashtu pjesë e Kolegjiumit të Shkodrës. Dyshja realizoi një performancë pozitive, duke treguar përgatitje dhe standard profesional në vendimet e tyre. Në fakt, prej kohësh Sektori i Arbitrimit pranë FSHF po i monitoron dhe vlerëson në mënyrë progresive paraqitjet e tyre.
Rritja e numrit të tyre në ndeshje me intensitet dhe përgjegjësi më të lartë do të jetë faktori kyç për konsolidimin e mëtejshëm të këtij brezi. Nëse ruhet kjo trajektore, arbitrat shkodranë do ta kenë mundësinë për të qenë protagonistë të vazhdueshëm në futbollin shqiptar.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


