Opinion nga Eduard Ilnica

Jemi në prag të javës së katërt të kategorisë superiore, skuadrat akoma nuk kanë përvijuar objektivat konkretë, pavarësisht deklaratave në fillim të sezonit. Pas disa javësh do të kemi konfigurimin më të saktë dhe pretendimet më realë të secilit ekip. Natyrisht, shumë ekipe në këtë sezon të ri kanë pësuar ndryshime rrënjësore, ku ndër ta është edhe Vllaznia. Kujtojmë që nga skuadra shkodrane janë larguar plot 14 futbollistë dhe janë afruar thuajse aq, 12. Pra, kemi të bëjmë me një ekip thuajse të ri. Ka mbetur vetëm një kolonë nga ekipi i sezonit të kaluar, ku spikat Vujadinoviç-Smajli-Belisha-Hajdari, pa përmendur ndonjë të ri. Në përgjithësi blerjet duken cilësore. Lojtarë të tillë si Elvin Beqiri, Tefik Osmani, Ndriçim Shtubina, Ivan Deliç, apo Vilfor Hysa me të tjerë do t’i donte çdo trajner në skuadër. Por a mjaftojnë këta emra, një trajner si Duro dhe dëshira e drejtuesve për të pasur një ekip kampion? Natyrisht që jo. Për disa arsye dhe të gjitha krahasuar me ekipet e tjera pretendente. Vllaznia është një ekip thuajse i ri dhe akoma nuk e është e konsoliduar. Në momentin që ky ekip do të jetë në kulmin e tij, kjo mund të ndodhë në fundin e sezonit, kur lojtarët të njihen me lojën e njëri-tjetrit. Por deri atëherë do të jetë vonë, pasi ekipet e tjera mund të jenë shkëputur. Ajo që bie në sy është edhe deklarata disi më e tërhequr e trajnerit Duro, që nuk e përmend domosdoshmërisht fjalën “titull”, ndryshe kur ishte te Skënderbeu. Ndoshta ai më mirë se të gjithë të tjerët e sheh që skuadra shkodrane ende nuk e ka “stofin” e pretendentes. Pavarësisht dëshirës së drejtuesve dhe tifozërisë, që duan një Vllazni kampione, realisht edhe në fushë kjo skuadër duket inferiore, krahasuar me Flamurtarin, Skënderbeun dhe Tiranën. Kjo u duk në javën e parë, kur shkodranët u shkërmoqën nga Skënderbeu. U duk edhe në javën e dytë ndaj ekipi debutues, ku me fat mori vetëm një pikë. U desh java e tretë që të merrte fitoren e parë, kjo falë edhe kalendarit, pasi përballë ishte një tjetër skuadër debutuese, Luftëtari. Për fat të Vllaznisë, edhe kjo javë është në favor, pasi pret Apoloninë, një skuadër relativisht e kalueshme, madje që mbetet një detyrë për ta mundur. Por më pas kuqeblutë do të kenë transferta të vështira dhe aty do të shihet realisht se për çfarë do të pretendojnë.
Nëse krahasojmë blerjet e Skënderbeut dhe Flamurtarit me ato të Vllaznisë, natyrisht që dy ekipet e tjera qëndrojnë më lart se ai shkodran. Në pamje të parë duket një mbështetje maksimale nga ana e Bashkisë Shkodër dhe nga vetë kryetari Lorenc Luka, por kur vjen puna në stadium, në ndëshkimet që i bëhen kësaj skuadre, drejtuesit thuajse mungojnë. Edhe një faktor tjetër pse Vllaznia nuk është në hapin me të tjerët është se shkodranët nuk kanë aleatë. Tashmë duker në dritë të diellit aleancat e Skënderbeut me Laçin, Shkumbinin apo me ndonjë tjetër. Tirana shkon mirë me Flamurtarin, vlonjatët kanë mbështetje maksimale nga kryetari i tyre Gjika, duke ndërhyrë madje deri në caktimin e gjyqtarëve. Ndërsa Vllaznia duket jetime në këtë anë, madje gjyqtarët nuk e kanë për gjë ta ndëshkojnë brenda në Shkodër. Një tjetër faktor jo pozitiv që ndikon shumë, por që natyrisht bie në sy, është shpërndarja e përgjegjësive. Një mori njerëzish merren me drejtimin e Vllaznisë, por më shumë krijohen probleme, sesa zgjidhje. Kujtojmë sezonin e fundit fërkimet me trajnerin Vata. Shpresojmë që kjo mos të ndodhë më.
Objektivi më real i Vllaznisë do të ishte pjesëmarrja në Europë, duke synuar këtë edhe përmes Kupës së Shqipërisë, duke marrë kështu edhe trofe, pavarësisht se do të ketë luftë të fortë edhe aty. Në rast se kuqeblutë synojnë vendin e tretë, do të thotë pak a shumë që të jetë në luftë me Tiranën, Laçin dhe ndonjë tjetër. Krahasuar me këto dy skuadra apo ndonjë tjetër, ekipi i shkodran i ka potencialet dhe mundësitë. Në rast se Flamurtarit dhe Skënderbeut do t’u ndodhte diçka rrugës, atëherë Vllaznia le të ishte aty afër dhe të përfitonte. Duke arritur pjesëmarrjen në Europë, konsolidimin e ekipit, mbajtjen e lojtarëve më të mirë, atëherë do të mjaftonin 2-3 blerje cilësore për të pasur një Vllazni kampione sezonin që vjen. Edhe tifozët duhet të jenë më realist, pavarësisht se ata gjithnjë duan një Vllazni pretendente. Por për momentin nuk është koha e Vllaznisë dhe kjo për të gjitha arsyet sa shpjeguam më lart. Por një gjë është e sigurt, Vllaznia do të jetë protagoniste, si gjithnjë, dhe një ekip i vështirë për t’u mundur dhe plot me surpriza, qofshin pozitive, apo negative.