Trajneri i Tiranës, Ardijan Nuhiu, nuk ka debutuar ashtu siç do shpresonte ai në stolin e bardhebluve, pasi ekipi u mund me shifrat 2-0. Por ai beson se ekipi mund ta përmbysë situatën.
“Personalisht mendoj që skuadra u mundua me atë idenë që i kam dhënë këto 2-3 ditë ta implementojë në fushë. Kishte momente ku ndoshta ia arriti, por sot mendoj se ndoshta kemi mundur veten në skuadrën tonë sepse ishin gabime individuale që u ndëshkuan. Shoh që kam shumë punë, duhet të punoj. Shoh që ka kualitet, por mendoj se do kohë të përmirësohet skuadra, jam munduar që të ngre skuadrën në aspektin psikologjik se lojtarët janë të goditur. Do të punojmë bashkë me stafin që të arrijmë të kthehemi te fitorja.
Ideja ishte të ndërtonim, por ja që nuk arritëm. Ishte gabim individual i kapitenit, është normale që të mund të ndodhë. Unë do të kërkoj të luajmë futboll, të kemi mbajtje topi. Mendoj se kemi futbollistët e duhur. Normalisht do kohë, unë pashë atë që u munduam të përcjellim pasi skuadra i dha disa shenja. Por do kohë dhe do të bëjmë më mirë.
Në rastin e Mensah do të ndryshonte ndoshta rrjedha e lojës, do barazonim e merrte kah tjetër ndeshja. Por do të kërkoj nga lojtarët krijues më tepër luftë e vrap. Përveç luftës, t’u marr më të mirën në aspektin e kreativitetit që të dërgojnë sa më tepër në zonë që të rrezikojmë kundërshtarët.
Në momentin që Bylis nuk na rrezikoi ku është më e forte, mendoj se analiza ishte e mirë nga ana jonë. Ne thjesht vetë realizuam sot dhe jo Bylisi. Sa i përket Karabecit e Soler, jam mbështetur tek përvoja se mendova që të kemi më shumë muskuj në mesfushë që të jemi agresiv, të rikuperojmë topa më poshtë e të jemi më afër portës.
Personalisht na mungoi pak kreativiteti, ndaj mendova me Zhunior se na duhej luftë e vrap që të ndihmonte Mensah që është më afër. Por u mundova të bind skuadrën që të kemi posedim, se kur kemi topin mundohemi të shkojmë atë ky duam, të jemi më krijues. Do kohën e vet që të dimë çfarë të bëjmë si skuadër dhe të shkojmë te goli”, tha Nuhiu për RTSH pas ndeshjes.







