Ndoshta nuk e kishte menduar as vetë, por me lojën dhe golat që ka shënuar, është shndërruar në një protagonist për ekipin e Vllaznisë. Ardit Hoxhaj ka shënuar 7 gola deri më tani dhe është shënuesi më i mirë jo vetëm i Vllaznisë por edhe i kampionatit shqiptar deri më tani.

Megjithatë për shkak të kartonit të kuq të marrë në ndeshjen ndaj Teutës, vlonjati do të mungojë në takimin e rradhës ndaj Kukësit. Por gjatë prononcimit të dhënë në “Sport Show” Hoxhaj ka shprehur bindjen se mungesat nuk do të ndihen në skuadër.

Ai gjithashtu, ka zbuluar edhe një fakt shumë interesant. Para se të vinte në Shkodër, një ish- trajner i tij në Vlorë e kishte këshilluar të bënte kujdes sepse vlonjatëve nuk u ka ecur asnjëherë mbarë në Shkodër, por duket se me të po ndodh ndryshe.

“Jam i lumtur që kam arritur të bëhem protagonist për ekipin në një moment kur ai po ecën shumë mirë. Vërtetë unë kam shënuar golat, por një meritë të madhe kanë dhe shokët e ekipit, pasi luftojmë të gjithë në fushë për të arritur objektivin tonë.

Para se të vija në Shkodër, jam konsultuar me një ish- trajnerin tim. Ai më tha të mendohesha mirë sepse ne vlonjatëve nuk na ka ecur mirë në Shkodër dhe ashtu edhe me shkodranët kur kanë ardhur në Vlorë, nuk ju ka ecur, ndonëse kanë shkuar mirë me njëri- tjetrin.

Dhe gjëja e parë që kam menduar ka qenë ajo për ta thyer këtë tabu dhe të arrij të bëj sa më mirë për ekipin. Pastaj që nga momenti kur kam ardhur në Shkodër jam ndjerë shumë mirë, si me njerëzit në këtë qytet, si me drejtuesit e me të gjithë.

“Nuk do të luajë ndaj Kukësit, por besoj se në skuadër kemi lojtarë të talentuar të cilët do të bëjnë mirë dhe të tregojnë vlerat e tyre. Edhe unë për vete, kam ardhur nga stoli në ndeshjet e para të sezonit dhe më pas u shndërrova në titullar.

Të njëjtën gjë do të tregojnë edhe lojtarët që do të luajnë si titullar në ndeshjen ndaj Kukësit dhe jam i bindur se Vllaznia do të kërkojë rezultat pozitiv edhe ndaj Kukësit dhe do ta vazhdojë rrugëtimin e saj drejt arritjes së objektivit”- është shprehur ai./SHKODRA-SPORT.COM/