
“U riktheva dhe një herë me objektiva të qarta për veten dhe për skuadrën time të zemrës, Vllazninë, – ka deklaruar ai për mediat sportive të ditës. – Si ish-kapiten i kësaj skuadre them se kemi forca të ia rikthejmë dhe një herë emrin e madh që ka Vllaznia në këtë sport. “Ne duhet të kemi mbështetjen e Bashkisë së Shkodrës, të klubit shumësportësh Vllaznia, pse jo të ndonjë sponsori. Vllaznia ka nxjerrë gjithmonë emra të mëdhenj në të gjitha sportet, por sidomos në çiklizëm”, – ka shtuar Vorfa. Gjithsesi ai është shprehur i bindur se me këtë rikthim do të arrijë të sjellë trofetë e parë në Shkodër.
“Me të vërtetë Shkodra e ka traditë biçikletën, – ka theksuar ai. – Por të themi të vërtetën çiklizmi në Shkodër ka vuajtur gjithmonë nga mos mbështetja e atyre drejtuesve, që duhej të jepnin më shumë për këtë skuadër e jo ta spostonin atë. Mos të harrojmë se çiklizmi i ka dhënë shumë këtij qyteti, duke i sjellë trofe të shumtë. Nuk është se mungojnë sportistët, por nuk ka mbështetjen e duhur nga zyrat që duhet të financojnë këtë sport, – ka bërë apel ish-çiklisti shkodran. – Unë këtë mund ta quaj një fatkeqësi për Shkodrën, që mban emrin qyteti i biçikletave dhe që është lënë në harresë”.
“Me eksperiencën që kam do të punoj shumë fort për ta rikthyer edhe një herë sport në Shkodër. Personalisht po stërvitem shumë dita ditës, por deri më tani po bëj gjithçka me paratë e mia”, – ka përfunduar Ardit Vorfa.
Anton ZALLI