www.shkodrasport.com
Xhudistët shkodranë 5 medalje në turneun ndërkombëtar ë Mitrovicës
Xhudistët shkodranë vazhdojnë të jenë të suksesshëm në aktivitetet ndërkombëtare që zhvillojnë. Pas paraqitjes së mirë në Podgoricë një javë më parë, ata kanë bërë një të tillë edhe në aktivitetin e rradhës, atë të zhvilluar ditën e djeshme në Mitrovicë të Kosovës. Ka qenë një ftesë e Federatës kosovare të xhudos në adresë të Akademisë Albania Xhudo Kodokan që ka dërguar drejt Kosovës sportistët e Vllaznisë dhe të Vau Dejësit. Në këtë aktivitet përveç këtyre sportistëve kanë marrë pjesë edhe ata të Malit të Zi, Serbisë, Maqedonisë, Kroacisë, Bosnjës dhe Kosovës. Paraqitja e sportistëve tanë që në këtë aktivitet janë drejtuar nga trajnerët Aurora dhe Luigj Shkoza, ka qenë e mirë. Në garat e pionerëve ka spikatur sportisti Taison Gështenja që në peshën 60 kilogramë ka mundur të gjithë kundërshtarët e tij duke zënë vendin e parë dhe duke merituar medalje arit. Ndërkohë tre sportistë të tjerë, Damian Çuni në peshën 34 kilogramë, Mihal Djaloshi në peshën 66 kologramë dhe Amelio Marku në peshën 73 kilogramë kanë zënë vende të treta në peshat e tyre duke merituar medaljet e bronzta. Sportisti tjetër pjesmarrës në këtë grupmoshë, Reoland Vasija është renditur I pesti në peshën 38 kilogramë. Ndërkohë, sukseset e xhudistëve shkodranë nuk kanë munguar edhe në garat e kadetëve teksa Elvis Mhilli në peshën 66 kilogramë ka zënë vendin e dytë duke merituar medaljen e argjendtë ndërsa Rikardo Nikaj në peshën 50 kilogramë është renditur I treti. Kësisoj paraqitja e sportistëve të Akademisë Albania Xhudo Kodokan në turneun e Mitrovicës ka qenë e suksesshme, shoqëruar me 6 medaljet e marra çka tregon se në këtë Akademi të drejtuar me mjaft sukses nga mjeshtri Anton Shkoza, punohet me seriozitet dhe ka rezultate të larta.