Kampionia e Shqipërisë në futbollin e femrave, Ada e Velipojës është mundur në ndeshjen e parë të turneut ndërkombëtar që është duke u zhvilluar në Budva të Malit të Zi. Ajo ka humbur përballë kampiones së Bosnjës SFK 2000 Sarajevo me rezultatin 0-2. Ndeshja e luajtur ditën e djeshme ka qenë e mirë për ekipin tonë që ndonëse përballej me një kundërshtar shumë të fortë, ka arritur të rivalizojë denjësisht. Madje duhet thënë se gjysma e vajzave të Adës nuk kanë qenë në gjendje të mirë shëndetësore pasi po kalojnë gjendje gripale.


Megjithatë ata janë munduar të bëjnë më të mirën në fushë dhe për rrjedhojë, kanë rivalizuar me dinjitet ndaj ekipit që ka 10 vite rresht kampion i Bosnjës.Kjo ka qenë ndeshja e parë për Adën ndërsa të dytën ajo do ta luajë me kampionen e Hungarisë ZNK Pomonje Beltinci. Kjo ndeshje do të luhet pasditen e sotme. Turneu në të cilin po merr pjesë skuadra velipojake është shumë i rëndësishëm sepse në të janë edhe skuadra të tilla si Rossyanka e Rusisë që është ndër tetë më të mirat e Champions Leagues së sivjetme. Ndeshjen me të, Ada do ta luajë në ditën e fundit të këtij turneu, më 28 shkurt. Një pjesmarrje kjo që do t’i vlejë shumë Adës, drejtuesve të saj por edhe sportisteve të këtij ekipi për të testuar veten ndaj ekipeve ndër më të mirat e Europës.
www.shkodrasport.com