Një histori mjaft interesante është ajo e dy futbollistëve të Kombëtares U21 të Shqipërisë, e pikërisht e Aristidi Kolajt dhe Sergio Kalajt. Ndoshta pakkush dhe askush nuk e di që këta dy sportistë janë edhe kushërinj me njëri- tjetrin ndonëse kanë mbiemra të ndryshëm, njëri Kolaj dhe tjetri Kalaj.

Në fakt, të dy ata ndonëse kanë lindur në Itali janë me origjinë nga Vukpalaj e Bajzës, në Malësi të Madhe dhe mbiemri i tyre i vërtetë është “Kalaj”.

Futbollisti i Lazios Sergio Kalaj

Por, sa i takon mbiemrit “Kolaj” që mban futbollisti i Sassuolos- Aristidi, ai është thjesht një çështje gabimi e gjendjes civile në Shqipëri.

Futbollisti i Sassuolos Aristidi Kolaj

Gjyshi i këtij lojtari vite më parë, la Malësinë e Madhe dhe u vendos familjarisht në Mamurras. Pikërisht në momentin kur ai ka shkuar të bëjë rregjistrimin në vendbanimin e ri, një punonjës i gjendjes civile ka bërë një gabim në mbiemer dhe në vend që ta shkruante atë “Kalaj”, e ka shkruar “Kolaj”.

Kaq ka mjaftuar dhe përveç tij edhe disa pjestarë të këtij fisi që u vendosën në Mamurras, rrjedhimisht morën mbiemrin “Kolaj”. Atë mban edhe një tjetër emër i njohur i sportit, boksieri Orial Kolaj i cili ka dalë dy herë kampion Europe në peshat e mesme.

Boksieri Orial Kolaj

Një histori mjaft interesant të cilën e ka shpjeguar për “Shkodra Sport” babai i Sergios, mbrojtësit të talentuar të të rinjve të Lazios por që në sezonin e fundit është grumbulluar në shumë ndeshje në 18-shen e ekipit të parë nga trajneri Inzagi.

Dhe Sergio njëkohësisht, është bashkuar edhe me kushëririn e tij- Aristidin duke luajtur dhe dhënë kontributin e tyre për kombëtaren U21 të Shqipërisë me shpresën që shumë shpejt të luajnë edhe me kombëtaren e madhe.

Kështu, ata do të bënin krenarë jo vetëm veten dhe familjet e tyre por edhe Bajzën dhe gjithë Malësinë e Madhe, prej nga kanë dhe origjinën e tyre.
Gjergj KOLA