Vllaznia U-21 është shpallur pasditën e djeshme kampione e Shqipërisë për sezonin 2022-2023. Një titull mëse i merituar i këtij ekipi që edhe pse nuk e nisi mirë kampionatin, në fazën e dytë dhe të tretë, rikuperoi gjithçka, duke qenë kampione e padiskutueshme e këtij sezoni.

Një sukses mëse i merituar që ka ardhur edhe falë punës së shkëlqyer të të gjithë futbollistëve dhe në veçanti i trajnerit Elvis Plori, që tregoi edhe njëherë tjetër vlerat e tij, duke merituar një tjetër trofe. Në fakt, Arjet Bizi ka qenë njëri ndër protagonistët e suksesit kuqeblu, teksa ai ka shënuar edhe tre gola në 25-ndeshje të luajtura nga ana e tij.

Si rrjedhojë, mesfushori shkodran ka dhënë një intervistë për “Shkodra Sport” pas fitimit të titullit nga ky ekip, ku ka folur për ecurinë e deritanishme të tij dhe poashtu edhe për planet për të ardhmen. Bizi është shprehur se Vllaznia U-21 e meritoi titullin kampion të fituar, ndërsa theksoi se është përgjegjësi dhe njëherësh edhe kënaqësi për të luajtur me fanellën kuqeblu. Më poshtë, mund të lexoni intervistën e tij për gazetarin e “Shkodra Sport”, Maringlen Zhivani.

-Bizi, titulli i parë i 21-vjeçarëve, sa i kënaqur jeni për këtë sukses, kur keni dhënë padyshim edhe kontributin maksimal me golat tuaj apo jo?

Jam tepër i kënaqur për titullin kampion dhe besoj ishte mëse i merituar për ekipin tonë. Në çdo ndeshje kam dhënë maksimumin dhe më të mirën time. Në fakt, ndihem krenar për sa kohë ka mundësi për të dhënë kontribut tek Vllaznia.

-Sa e vështirë ishte për ju në këtë kampionat, ku gara ka qenë shumë e vështirë?

Realisht, që në fillim gara ka qenë shumë e fortë, por përkushtimi i U-21 për ta fituar këtë titull, duhet të theksojmë se ishte edhe më i fortë se gara. Në javët e fundit kemi arritur vendin e parë dhe nuk kemi gabuar, duke realizuar 19-ndeshje pa asnjë rezultat negativ.

-Çfarë ndjesie është edhe për ju personalisht kur keni sjellë një titull për herë të parë në Shkodër me këtë grupmoshë?

Për mua personalisht, është ndjesi tepër e veçantë. Ekipi Vllaznia lidhet ngushtë me shkodranët, pasi nga ky qytet dhe nga ky ekip kanë dalë mjaft emra që i kanë dhënë vlerë sportit. Fakti që është hera e parë që sjellim Kupën për këtë grupmoshë, na bën të ndihemi krenar, por edhe pse jo një motiv për brezat pasardhës që ne jemi të parët që sollëm Kupën për këtë grupmoshë. Megjithatë, nuk duhet të jemi të fundit.

-Sa i kënaqur jeni në aspektin personal këtë sezon, por edhe me aktivizimin nga ana e trajnerit Elvis Plori?

Unë mendoj se një nga arsyet që Vllaznia U-21 shkëlqeu në këtë kampionat dhe sollëm Kupën për herë të parë për këtë grupmoshë, ishte trajneri Elvis Plori, i cili me këshillat dhe strategjitë e tij të lojës arriti të na bashkonte më tepër dhe të na kombinonte në mënyrë perfekte në pozicione loje. Për sa i përket anës personale, kam pasur mbështetje maksimale dhe besimin nga ana e trajnerit Plori. Për këtë arsye, do doja ta falënderoja.

-E ardhmja juaj do të jetë tek ekipi i parë i Vllaznisë apo synoni diçka tjetër?

Për sa i përket të ardhmes, nuk mund të them diçka me plot bindje dhe siguri, por dua të them se për sa kohë që luaj me ekipin e qytetit tim, Vllaznia, kam një përgjegjësi të madhe. Megjithatë, në të njëjtën kohë kam edhe një privilegj, sepse shumë të rinj synojnë që në karrierën e tyre të jenë pjesë e ekipit të Vllaznisë.
Maringlen ZHIVANI