Vllaznia e fundit të viteve ’80 dhe e fillimit të viteve ’90, ka patur në rradhët e saj një brez të talentuar sportistësh. Për fat të keq të ekipit, shumë prej tyre u larguan dhe kuptohet që kjo do të ndikonte tek rezultatet e tij në vazhdim. Megjithatë sot po shkëpusim këtë fotografi dhe këtë gazetë të datës 6 prill 1990, ku kolegu ynë, i ndjeri Ramadan Bigza, i bënte jehonë fitores së Vllaznisë 2-0 ndaj “17 Nëntorit”.

Titulli i këtij shkrimi ishte: “Katër gëzime në një ditë”. Po kush ishin katër gëzimet e shkodranëve? E para sepse para ndeshjes u festua 85 vjetori i luajtjes për herë të parë futboll në Shkodër dhe Shqipëri (1905), e dyta u festua 45 vjetori i titullit të parë të Vllaznisë (1945) dhe 25 vjetori i fitores së Kupës së parë të Republikës (1965).

Këtyre tre festave iu shtua edhe një e katërt, ajo e fitores ndaj “17 Nëntorit” 2-0 me gola të Ilir Kepajt dhe Adrian Barbullushit. Dhe formacioni i kuqebluve që është në foton e këtij shkrimi, është vërtetë i mrekullueshëm. Me portierin Avenir Dani, me mbrojtjen e përbërë nga Hysen Zmijani, Alban Noga, Hysen Dedja e Fatbardh Jera.

Në mesfushë luanin Agron Lika, Ardian Bushati në qendër, me dy lojtarët e krahut Arjan Laçja e Edmir Bilali, ndërsa në majë të sulmit ishin Ilir Kepaj dhe Adrian Barbullushi.Gjatë kësaj ndeshje u aktivizuan edhe Prençi e F.Rragami. Trajner kuptohet ishte i mirënjohuri Astrit Hafizi.

Vllaznia triumfoi ndaj emrave të tillë të bardhebluve si Mersini, Alimehmeti, Hodja, Lekbello, Daja, Stoja, Josa, Liti,Riza, Minga e Kola, të drejtuar nga Shyqyri Rreli. Fitorja e kuqebluve kuptohet që entuziasmoi tifozët e shumtë shkodranë që kishin mbushur plot e përplot stadiumin “Vojo Kushi”.
© shkodrasport.com