Problemet për drejtuesit e Vllaznisë duket se nuk do kenë të sosur. Pas largimit thuajse të të gjithë futbollistëve “jabanxhinj”, kësaj skkuadre mund t’i largohet edhe ndonjë nga shkodranët. Njëri prej tyre është mesfushori 22 vjeçar Arlind Kalaja. Lojtarit i ka mbaruar kontrata njëvjeçare që ai ka patur me kuqeblutë dhe burime pranë tij bëjnë të ditur se tashmë ai po sheh mundësinë e largimit në një vend jashtë Shqipërisë.

Pikësynimi mund të jetë Italia por pse jo edhe ndonjë tjetër. Kalaja edhe verën e vitit të kaluar e kaloi thuajse të gjithën në vendin fqinj teksa në fillim ishte pranë firmës me Pescarën por më pas, pati kontakte edhe me ekipe të tjera por për arsye nga më të ndryshmet, ai nuk arriti të firmoste me asnjërin. Duke e menduar të larguar këtë futbollist verën e kaluar, drejtuesit e Vllaznisë e zëvendësuan atë me kosovarin Yll Hoxha por në fillim të shtatorit,  bjondi shumë teknik shkodran u rikthye dhe dalëngadalë i mori atij vendin e titullarit duke luajtur me shumë sukses deri në ndeshjen e fundit me Tiranën. Vërtetë që ky sezon mund të mos ketë qenë një nga më të mirët për Kalajën, kjo edhe për shkak të disa dëmtimeve që kaloi, por gjithsesi tashmë ai po përpiqet ta gjejë fatin e tij diku tjetër jashtë vendit sepse siç është shprehur edhe më parë, në Shqipëri Vllazninë nuk e ndërron me asnjë ekip tjetër.

© shkodrasport.com