Armand Duka ka qenë sot i pranishëm në Shkodër për të inaguruar fushën sportive në Kopshtin Ismet Sali Brucaj. Në një prononcim të shkurtër për mediet, kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit është ndalur te dhuna në kampionatin shqiptar.

Teksa këtij edicioni futbollistik po i vjen fundi, shumë skuadra po tentojnë me çdo mjet për të arritur objektivin e vendosur në fillim të sezonit. Mesazhi i kreut të FSHF-së ishte i qartë.

Ai i fton të gjithë aktorët, në këtë rast, drejtuesit e klubeve, stafet teknike dhe lojtarë që të luajnë në fushën e blertë. Sipas tij, vetëm atëherë do të arrijnë të marrin maksimumin.

” Ju më pyesni se po shohim dhunë fizike edhe mes presidentëve të klubeve, rrugëve, apo ka trajnerë që deklarojnë se rezultatet vendosen në tavolinë… Kjo është garë dhe patjetër që ka emocionet e veta. Gjithsekush është mirë t’i kontrollojë ato, madje t’i shfrytëzojë pozitivisht për të mirën e kësaj loje.

Është fundi i një kampionati, të gjithë kërkojnë të marrin maksimumin. Ky maksimum merret përmes lojës, me sa më shumë angazhim, organizim dhe respektim të rregullave “, tha ndër të tjera presidenti i FSHF-së./newsport/