Armando Broja ka kaluar dëmtimin dhe ka nisur përgatitjet me skuadrën e Çelsit. Një lajm fantastik ky për sulmuesin e Kombëtares së Shqipërisë, i cili u detyrua të braktiste fazën përgatitore në Amerikë, për shkak të një problemi në kavilje.

Gjithçka duket se është lënë pas dhe në këtë mori lajmesh rreth të ardhmes së tij, shtatlarti kuqezi ka nisur përgatitjet bashkë me skuadrën. Trajneri Thomas Tuchel ka lënë të nënkuptohet se e do shqiptarin në skuadër, pavarësisht ofertave të shumta në drejtim të tij.

Pas një sezoni të mrekullueshëm te Southampton në formë huazimi, tashmë Broja ka mundësinë të tregojë aftësitë e tij te blutë e Londrës, teksa pse jo të shndërrohet edhe në faktor në Premier League.

Thomas Tuchel ka qenë i bindur se klubi nuk do të hyjë në treg për një numër të ri 9-sh këtë verë, për shkak të talenteve që ata kanë për të plotësuar atë rol, duke përfshirë edhe futbollistë të rinj si sulmuesi i Kombëtares, Armando Broja.
Maringlen ZHIVANI