Vllaznia do të zhvillojë sot stërvitjen e fundit në Rumani, pasi mbrëmjen e nesërme do të luajë ndaj Universitateas së Kraiovës. Trajneri Mirel Josa ka provuar edhe formacionin që pritet të zbresë në fushë ditën e nesërme në orën 19:30, në stadiumin “Ion Oblemenco”.

Në fakt, duket se dilema më e madhe është në majën e sulmit, aty ku Josa duhet të zgjedhë mes Ante Aralicës dhe Kaina Nunesh. Ky i fundit u fut si zëvendësues në ndeshjen e parë, duke bërë një paraqitje mjaft të mirë pas minutës së 50-të. Nga ana tjetër, kroati që e nisi titullar, ishte larg pritshmërive dhe vetë trajneri Josa në konferencën pas ndeshjes, pranoi që priste më tepër.

Gjasat janë që Nunesh të jetë titullar në Rumani, ndërsa Aralica ta nisë nga stoli. Megjithatë, një gjë e tillë mbetet për t’u parë, pasi maja e sulmit është dilema e vetme që ka trajneri Mirel Josa.

Sa i përket pjesës tjetër të ekipit, në portë do të jetë Zogoviç. Në mbrojtje konfirmohen Gurishta, Juriç, Bulatoviç dhe Hakaj. Në mesfushë Boshnjaku, Jonuzi dhe Marku, ndërsa në sulm Hoxhaj dhe Çoba.
Maringlen ZHIVANI