Armando Broja ka dalë në konferencën e zakonshme për shtyp para ndeshjes së Kombëtares kundër Spanjës. Sulmuesi kuqezi që po kalon një formë të mrekullueshme në Premier League, u shpreh besimplotë për ndeshjen miqësore kundër Spanjës.

Ylli i kombëtares shqiptare u pyet për të ardhmen e tij, por nuk preferoi të jepte detaje duke lënë të kuptohet se fillimisht është i fokusuar te Southampton. Në fjalën e tij për gazetarët, Broja deklaroi:

“Jemi gati fizikisht si ekip. E dijmë se do të jetyë ndeshje e vështirë kundër Spanjës. Grumbullimi po shkon shumë mirë. Po vazhdojmë kështu me stërvitje të mirë. Ishalla me fitore kundër Spanjës.

Kundërshtari? E di se kam luajtur kundër dy mbrojtësve të Spanjës. Është ndeshje tjetër kjo me Kombëtaren. Do të jetë ndeshje tjetër. Por, edhe ne kemi ekip të mirë. Kemi kualitetin tonë si skuadër. Po stërvitemi mirë, ishalla e fitojmë ndeshjen.

Southampton? Po jam rritur më shumë si djalë, kam mësuar më shumë te Southampton. Po shkon gjithçka shumë mirë. Dua të vazhdoj kështu përpara. Dua të luaj më mirë për vete. Ka qenë një gjë e mirë në karrierën. Është një hap i madh nga Hollanda në Premier League. E di se mund ta bëj. Dua vetëm të shkoj përpara. Po stërvitemi mirë. Dua të vazhdoj përpara.

Rezultati? Në këto ndeshje që hyjmë ne si skuadër, dua të fitojmë ndeshjet. E dijmë se dhe Spanja ka kualitet. Ne nuk kemi frikë kundër asnjë skuadre. Ishalla me fitore, edhe miqësoret janë të mira për eksperiencën.

Sezoni? Ishte e vështirë në sezonin e parë në Premier League. Por, kisha besim te vetja. E dija që do të shkonte mirë po të stërvitesha mirë. Jam i kënaqur se si ka shkuar sezoni. Do të shohim si do të shkojë.

E ardhmja? Jam fokusuar te Southampton, dua të përfundoj sa më mirë sezonin aty. Prapë se prapë jam lojtar i Chelsea-it, po shohim se çfarë do të ndodhë. Nuk dua të shoh shumë para, jam i fokusuar vetëm te skuadra.

Tifozët? Dua t’i falënderoj që kam mbështetjen e tifozëve shqiptarë anë e mbanë botës. Vazhdoni të na mbështesni ne, Federatën Shqiptare dhe ishalla me fitore kundër Spanjës.

Objektivi final i Kombëtares? Kemi një grup shumë të mirë, kemi dhe trajner të mirë. Marrim eksperiencë ndeshje pas ndeshje. Kemi një shans të mirë të hyjmë në Europian apo dhe në Botëror. Do të ishte shumë mirë për Shqipërinë”, tha ai.