Armando Broja ka dhënë një rrëfim të gjatë për gjithë jetën dhe karrierën e tij deri tani në “Players Tribune”. Sulmuesi i ka prekur të gjitha, që nga kalimi te Chelsea, afrimi te Shqipëria dhe këshilla e babait për ta dërguar Kombëtaren në Botëror. Broja tregon se në provën e parë te Kombëtarja nuk e pranuan kur ishte 15-vjeç, por vetëm dy vite më vonë, gjithçka ndryshoi.

“Mami dhe babi më kanë qëndruar gjithmonë pranë, më kanë ndihmuar. Unë mendoj se njerëzit nuk i vlerësojnë prindërit e tyre mjaftueshëm. Ne vijmë nga Shqipëria, Shqipëria ka qenë e zhurmshme atëherë. Babai shkonte në punë shumë orë gjatë ditës, ishte shumë e vështirë për të. Kur vinte në shtëpi nga puna, më pyeste: ‘Armando je stërvitur”? Unë i thoja se po, por ai e dinte se unë po gënjeja. Më nxirrte jashtë që të stërvitesha, donte që unë të kisha sukses. Më thoshtë të bëja 20 xhiro rreth fushës. Unë i kthehesha: “Babi, pse?”. “Jo jo, nuk dua të dëgjoj, bëj 20 xhiro rreth fushës”, më thoshte. Nëse unë e nisja qetësisht, atëherë përfundoja me 30 xhiro.

Unë nuk dija shumë për kulturën e Shqipërisë kur isha i vogël, prindërit flisnin vetëm shqip në shtëpi dhe aty e mësova edhe unë. Ne nuk shkonim askund tjetër përveç Shqipërisë, ktheheshim në çdo vit atje. Kjo më ka kthyer në personin që jam sot. Kur unë fillova që të rritesha më shumë, babai më thoshte se do të humbisja shpejtësinë. Prandaj më merrte dhe me nxirrte vetëm që të vrapoja dhe të vrapoja.

Në fillim e nisa në ekipin e zonës tonë duke luajtur futboll. Një skaut i Totenhemi erdhi aty për të parë një lojtar tjetër, por unë dola golashënuesi më i mirë i turneut, lojtari më i mirë i turneut. Ai kishte folur me prindërit e mi dhe më kishte kërkuar. Kur prindëri më thanë, unë u habita: “Kush është Totenham?”. Realisht nuk njihja asnjë ekip tjetër përveç skuadrës time të zonës ku isha.

Por kushëriri i mamit tim ishte tifoz i çmendur i Chelsea. Ai më merrte në stadium në çdo ndeshje të Chelsea kur isha 4 vjec. Prandaj unë isha tifoz i Chelsea. Madje edhe kur isha te Totenham, e doja Chelsea dhe doja që t’i mundja ata, që t’i tregoja stafit të tyre që të më merrnin. Më kujtohet debutimi i parë me Chelsea. Po fitonim 4-0 me Everton dhe pashë Livramenton që hyri 10 minuta para meje.

Po mendoja dhe e ndieja se do të vinte një shans për mua. Kur më thërret Lampard: “Bëhu gati, do të hysh në fushë, ti je gati për këtë”. Unë humba në atë moment, doja të bëhesha gati, por po dridhesha i gjithi. Më tha që ta shijoj momentin dhe kështu u bëra pjesa e Premier League. Kjo më dha shumë besim dhe unë e falënderoj Lampard.

Fola me Tuchel dhe më tha që të shkoja në huazim te Southampton. Shkova atje për t’i treguar sesa vleja, megjithëse nuk dija se çfarë të prisja nga një ekip si Southampton. Prandaj edhe trajneri Hasenhutl tha se nuk e nisa me temp të mirë te ky ekip. Goli i parë ishte kundër Leeds, po e prisja atë top të Redmond dhe shënova. Ishte momenti më i mirë i karrierës. Të jem shqiptari i parë që shënoj në Premier League…”wow”, emri im është shënuar në histori tani, shqiptari i parë që shënon në Premier League.

Kur isha 15-vjeç, shkova në prova te Kombëtarja e Shqipërisë. Ata më thanë: “Nuk je i mirë mjaftueshëm”. Dy vite më vonë, kur isha 17 vjec, babai më tha: “Si mendon, do ta provojmë edhe njëherë?”. Në kokën time ishte ideja: “Nuk dua të iki atje sepse ata më thanë që nuk jam i mirë mjaftueshëm”. Pas një jave shkova te babai dhe i thashë: “Mirë, unë do të shkoj, por thjesht do t’i provoj që ata gabuan me mua”. Kur shkova, ata më thanë: “Ne kemi gabuar më para, nuk prisnim që të bëheshe kaq i mirë”.

Pastaj i thashë: “E di çfarë? Do të qëndroj me ju”! Shkova deri te U21 i Shqipërisë, pastaj më kërkoi Anglia U-21 dhe ishte e çuditshme, se në të njëjtën kohë më kërkoi direkt edhe ekipi i parë i Shqipërisë. Zgjodha vendin tim, zgjodha vendin e prindërive të mi. Kur luan për vendin tënd është gjëja më e madhe që ti ke. Ke një shtet të gjithë pas krahëve. Babai më ka thënë vetëm diçka: “Nuk dua ta lësh futbollin pa e dërguar njëherë Shqipërinë në Botëror”. Jo për ta fituar, thjeshtë për të shkuar. Shqipëria nuk ka shkuar ndonjëherë në Botëror dhe për ne nëse shkojmë, do të jetë si ta kemi fituar”, tha Broja. /Sport Ekspres/