Armando Broja pritet t’i japë lamtumirën Çelsit gjatë merkatos së verës dhe ndoshta edhe përfundimisht. Sulmuesi i përfaqësues shqiptare pritet që të ndryshojë skuadër duke u transferuar te Uest Hem, i cili ka bërë një ofertë shumë të mirë ekonomike për blutë londinezë të cilët mund të përfitojnë ndjeshëm financiarisht nga kjo marrëveshje.
Mediat britanike kanë zbuluar se Çelsi kërkon që të lejojë vetëm huazimin e Brojës në këtë sezon, por Uest Hem ka bërë të qartë se është gati të bëjë një investim të rëndësishëm për të siguruar përfundimisht kartonin e djaloshit shqiptar.
Sipas “The Guardian”, Uest Hem i ka propozuar Çelsit që të vendoset një klauzolë largimi përfundimtare prej 30 milion paund në fund të sezonit, me bonuse të tjera që shtohen në varësi të arritjeve të futbollistit dhe skuadrës ku do të luajë në këtë edicion.
Oferta tundon drejtuesit e Çelsit dhe ata kanë qenë parimisht dakord. Ndaj kanë lejuar Brojën që të kthehet në Angli për të vazhduar bisedimet, pasi mbetet ende për t’u gjetur një akord mes tij dhe skuadrës së drejtuar nga Devid Mojes.
I njëjti burim thekson se sulmuesi shqiptar i ka kërkuar Çelsit që të transferohet përfundimisht nëse nuk do të jetë pjesë e bluve në këtë sezon.