Armando Cungu nuk është më trajneri i Vllaznisë. Sot ai ka dhënë dorëheqjen dhe tashmë në stolin e skuadrës shkodrane do të ulet Ernest Gjoka, i cili do të nisë sot punën. Por Cungu, në njoftimin që bën për largimin nga Vllaznia, lë pas akuza të forta. Sipas tij, te Vllaznia ka njerëz dhe struktura që veprojnë pa përgjegjshmëri.

Nuk përmend emra konkretë, por sigurisht që një reagim do të ketë nga strukturat drejtuese të klubit kuqeblu. Ja çfarë shkruan konkretisht trajneri i dorëhequr nga Vllaznia, Armando Cungu:
Përshendetje miq!
Ju baj me dije se me sot tërheq angazhimin tim te skuadra e Vllaznisë (do thosha e zemrës). Vendimin të largohem nga Vllaznia e poqa nga disa rrethana që në gjykimin tim janë përcaktuse!
Në fakt, pranova Vllazninë me deshirën që t’realizosha një ëndërr (e vjet u afruam shumë) por fatkeqësisht, vazhdimisht konstatova se ekzistojnë njerëz dhe struktura të cilat futbollin në Shkodër e përdorin pa përgjegjësin e fisnikërisë të sportdashësit. Personalisht punova me të gjitha aftësitë e mia, me korrektësi dhe sakrificë. S’isha i vetëm: janë edhe një pjesë e sportistave.
Uroj me zemër që ekipi i Vllaznisë të ketë një ecuri positive në vazhdim! Shkodra dhe tifozët e mrekullueshëm e meritojnë një Vllazni të suksesshme.
Uroj çdo të mirë!