Një nga emrat e shquar të Vllaznisë ndër vite, si futbollist dhe si trajner, pikërisht Armando Cungu, sot ka datëlindjen dhe feston 49-vjetorin e lindjes së tij. Gazeta “Shkodra Sport” me rastin e datëlindjes, i uron atij edhe 100 vite të tjera të lumtura dhe poashtu edhe një karrierë sa më të suksesshme si trajner.

Armando Cungu është një nga trajnerët më të mirë dhe ish-lojtarët më të mirë shkodranë. Si futbollist, Cungu ka provuar të luajë me Vllazninë, Luftëtarin, Teutën, Flamurtarin e Prishtinës dhe Ethnikosin në Greqi.

Për të kaluar në fushën e trajningut dhe menaxhimit, Cungu e nisi si trajner te Ada në vitin 2006. Më pas, ai ishte drejtor sportiv i klubit të qytetit të tij, Vllaznia, ndërmjet viteve 2010 dhe 2012.

Në vitin 2012, Cungu mori drejtimin e Kukësit, ku bëri një punë fantastike, duke kaluar shumë ture me këtë ekip në Kupat e Europës, por pa mundur dot të futet në grupe. Ndërkohë që, në kampionat u renditën të dytët me vetëm një vit pjesëmarrje në Superiore.

Pas kësaj aventure, Cungu u emërua në krye të stolit të Laçit, për një vit. Pas sezonit të parë me këtë ekip, Cungu filloi sezonin e tij të dytë në krye të Laçit në korrik, ku skuadra do të përballej me Inter Baku, për raundin e parë kualifikues të UEFA Europa League, 2015-16.

Në ndeshjen e parë në shtëpi, edhe pse bëri një paraqitje të mirë në përgjithësi në ndeshje, Laçi nuk shkoi më shumë se një barazim 1-1, duke lënë gjithçka të hapur për ndeshjen e kthimit. Në ndeshjen e kthimit, skuadra e Cungut nuk mundi të shënonte, pasi rezultati përfundimtar ishte 0-0, që do të thotë se Laçi do të ishte jashtë, për shkak të rregullit të golit si mysafir.

Më 12 gusht, në ndeshjen e parë të ekipit në sezonin e ri, Cungu fitoi çmimin e parë me klubin kurbinas, Superkupën e Shqipërisë, ku Laçi mundi Skënderbeun e Korçës në penallti, pas një barazimi 2-2 në kohën e rregullt. Më 31 dhjetor 2015, Cungu dha dorëheqjen si trajner i Laçit pas rezultateve të fundit të dobëta.

Më 8 janar 2016, Cungu u emërua trajneri i Vllaznisë, duke zëvendësuar Armir Grimën për pjesën e dytë të sezonit 2015-16. Ai u prezantua në media të nesërmen, ku nënshkroi kontratën 18-mujore.

Cungu bëri maksimumin e tij në atë periudhë, por shumë rrethana të ndodhura, e detyruan atë që të dorëhiqej në 2017. Pas Vllaznisë, Cungu u rikthye edhe njëherë tjetër te Kukësi dhe Laçi, duke qëndruar në krye të pankinave të këtyre dy ekipeve, respektivisht nga një vit.

Vitin e kaluar, Cungu mori detyrën si trajner i Kombëtares së Shqipërisë U-19, teksa duhet thënë se edhe aty me të vërtetë, ka bërë një punë fantastike dhe kolosale, në ndërtimin e brezave për të ardhmen.

Kjo është karriera e Armando Cungut, teksa kudo ku ka luajtur ose trajnuar, i ka kryer me sukses këto detyra, duke lënë gjurmë çdokund ku ka punuar. Në të gjithë komunitetin e futbollit, Cungu njihet si një sportist dhe trajner i shkëlqyer.

Në bisedat me Cungun, e kupton se ai nuk mund të qëndrojë larg sportit dhe këtë gjë do ta bëjë deri në fundin e jetës së tij. Padyshim që, Armando Cungu është dhe do jetë edhe një busull orientimi për të tjerët, për karakterin dhe seriozitetin e tij si njeri, për të gjithë ata që duan të merren me trajning.

Ky është profesor Armando Cungu, i cili mbetet një emër i madh në futbollin shkodran, që meriton shumë rrespekt dhe vlerësim, për atë që ka arritur gjatë karrierës së tij. Ndoshta në vitet në vazhdim, mund të kemi edhe një Cungu tjetër, Cungun Junior, pikërisht mesfushorin e talentuar të Akademisë Vllaznia, Williamin, të birin e profesor Armandos, i cili realisht në pozicionin dhe në grupmoshën e tij, është një nga më të mirët në Shqipëri, teksa është një futbollist që me të vërtetë premton shumë për të ardhmen.

Megjithatë për t’u rikthyer te njeriu i ditës së sotshme, me rastin e datëlindjes, gazeta “Shkodra Sport” i uron Armando Cungut edhe 100-vite të tjera të lumtura dhe njëkohësisht e falënderon për kontributin e shkëlqyer të dhënë në vite për futbollin shkodran!
Maringlen ZHIVANI