Laçi ia doli të fitonte dje në miqësoren me Tiranën në “Selman Stërmasi”. Kurbinasit I nderoi një gol I Deliut në pjesën e dytë, ndërsa pas ndeshjes trajneri Armando Cungu u shpreh se kampionati është në prag dhe Laçi do jetë në vallen e pretendentëve për titullin kampion.
“Pas shumë miqësoreve jo bindëse, vjen kjo me Tiranën. Realisht në pjesën më të madhe jam i kënaqur përsa i përket lojës.
Kërkuam edhe rezultat, pasi kampionati mendoj se është në prag dhe duhet. Për këtë arsye duhet ta kërkonim rezultatin, të kishim atë shpirtin dhe karakterin e garës. besoj se nuk mund të ketë garë pa rezultat. Në përgjithësi jam i kënaqur me atë që dhanë djemtë, edhe pse mbetem i mendimit se kemi shumë për të përmirësuar.
Mungesat? Relativisht duhet të jetë më e fortë. Na mungonin shumë titullarë dhe janë nga ata që kanë bërë një sezon shumë të mirë vjet, kështu që janë bërthama e ekipit dhe do të jenë të tillë.
Megjithatë ekipi është përforcuar me ardhjen e lojtarëve të tjerë, alternativat janë më të mëdha se sezonin e kaluar. Kjo bën që edhe mua si trajner dhe drejtuesve të klubit na lind e drejta për të kërkuar diçka më tepër nga ky Laç, pra një marsh tjetër.
A është Laçi skuadra për t’u mundur? E thashë që do të kërkojmë marsh tjetër, kampionat tjetër. Jemi më të rritur si ekip, jo në moshë, jemi më të rritur në aspektin e mënyrës së lojës. Tani kemi një personalitet tjetër dhe natyrshëm që kërkojmë diçka më tepër se sezoni i kaluar.
Në letër gjërat mund t’i shohin specialistët, mund të marrin lapsin e të shohin Laçin e vjetshëm dhe të sivjetshëm, ku është forcuar e të tjera gjëra. Besoj se kështu bëhen llogaritë, si për Laçin ashtu edhe për çdo ekip tjetër të Superiores. Pastaj shihet kush është favorit. Mendoj se janë tre katër ekip në valle, mes tyre edhe ne. Kjo është ajo që mund të them për momentin”, u shpreh Cungu./newsport/