Vllaznia synon ta mbyllë me një fitore përpara pauzës së kampionatit, që do të vijë për shkak të Botërorit. Një trepikësh, që në njëfarë mënyre do të rikthente edhe qetësinë e munguar në disa javë në skuadër dhe ekipi shkodran do t’i afrohej më shumë se kurrë vendit të parë.

Për këtë arsye dhe duke qenë se bëhet fjalë për “Klasiken e Shqipërisë”, përballja me Tiranën është e një rëndësie të veçantë për ekipin e Josës. Trajneri po përpiqet që gjatë seancave stërvitore, përveç përgatitjes teknike, të mbajë lart edhe anën morale të futbollistëve, duke i shprehur besimin se të gjithë bashkë do të dalin me fitore nga Tirana.

Josa ka kërkuar nga futbollistët e tij që të gjejnë sa më shpejt rrugën e rrjetës dhe në seancat stërvitore është përpjekur që të bëjë skuadrën të tregohet cinike në fazën ofensive. Shënimi i golit sa më shpejt dhe për më tepër të parët, shihet si një faktor kyç që në fund skuadra të arrijë fitoren.

Vllaznisë nuk i mungojnë kualitetet në fazën ofensive, prandaj edhe trajneri Josa ka besim se nga ky repart do të vijë fitorja, që presin në këtë “Klasike”. Poashtu, trajneri Josa u ka kërkuar futbollistëve të shmangin çdo karton të panevojshëm në këtë përballje, sepse çdo gjë do të vijë duke u vështirësuar më pas.

Kujtojmë këtu se, në fazën e parë, kur Vllaznia fitoi ndaj Tiranës në “Selman Stërmasi” me shifrat 1-2, luajti për shumë minuta në pjesën e dytë me 10-futbollistë pas daljes me të kuq të Herald Markut. Megjithatë, mbetet për t’u parë nëse kërkesat e trajnerit Josa karshi futbollistëve, do të arrijnë të vendoset dot në zbatim apo jo.
Maringlen ZHIVANI