Kompeticioni i Kupës së Shqipërisë në volejboll për femra luajti sot ndeshjet e para çerekfinale. Në pallatin e sportit “Qazim Dervishi, Vllaznia priti Barleti Volley, një nga skuadrat më të mira të volejbollit shqiptar për femra.

Vllaznia e drejtuar nga trajneri Dorian Tafa, e cila falë organizimit të ri me ardhjen në krye të presidentit Florian Zekja, është shfaqur si një skuadër ambicioze deri më tani në kampionat, por përballja me Barleti Volley nuk shkoi mirë. Skuadra kuqeblu u mund nga Barleti Volley me rezultatin 0 me 3.

Skuadra mike i fitoi të gjitha setet, përkatësisht 19-25, 24-26, 20-25, duke dalë fituese e të gjithë ndeshjes me rezultain 0-3.

Një humbje, që sipas trajnerit Tafa, erdhi edhe nga situata e dëmtimeve dhe largimet që ka pasur këto kohë skuadra kuqeblu. Madje edhe sot, një nga titullaret me peshë, Lori Picaku, nuk është aktivizuar fare, teksa ka pësuar një dëmtim në kavilje.

Ndeshja e radhës për Vllazninë në kuadrin e Kupës së Shqipërisë do të jetë ajo e kthimit ndaj Barleti Volley në transfertë.
Maringlen Zhivani