Mesfushori shkodran Armando Vajushi është në “top” të listës së dëshirave të drejtorit sportiv të Katanxaros, Doronco. “Vrapim, driblim, si dhe aftësia për të goditur si më djathtë ashtu dhe me të majtën janë karakteristikat e tij”, shkruan portali italian, Catanzaroinforma.it, që shton se Vajushi ka shënuar edhe një gol me Kombëtaren kundër San Marinos (2014).

Sulmuesi shqiptar mund të jetë i dobishëm si për rreshtimin 4-3-3 ashtu dhe për 4-4-2. Shkodrani u transferua nga bullgarët e Liteks Loveç te Kievo në vitin 2015, ndërkohë më pas u transferua te Livorno për t’u stacionuar aktualisht te Pro Verçeli.
Me “Pro” pati një dëmtim jo të lehtë, që e mbajti jashtë fushave për një kohë të gjatë. Gjithsesi, drejtori sportiv i Pro Verçelit, Varini, është duke vlerësuar huazimin e tij te Katanxaro kur duhen edhe nëntë ditë nga mbyllja zyrtare e merkatos.