Armando Vajushi shpallet futbollisti më i mirë i javës së 16-të në kampionatin bullgar. Talenti shkodran i Liteksit ka marrë 12 vota në anketën që bëhet nga mediat sportive në Bullgari. Dy golat e shënuar në ndeshjen ndaj CSKA-së së Sofjes e kanë shndërruar Vajushin në heroin e Liteksit. Fitorja e skuadrës së trajnerit Hristo Stoiçkov ka qenë shumë e rëndësishme, aq më tepër në një fushë ku Liteksi kishte më shumë se një dekadë pa fituar. Protagonist absolut ka qenë mesfushori me tipare sulmuese, i cili në anketën e javës së fundit ka thyer edhe një tjetër “rekord”.

Media vendëse i ka bërë një vlerësim më të madh shqiptarit në krahasim me yjet e ekipet që udhëheqin kampionatin: Marselinjo i Ludogoretsit dhe De Karvalo i Levskit të Sofjes.
Deklarata – Pas ceremonisë së dorëzimit të çmimit si lojtari më i mirë i javës, Vajushi foli për mediat bullgare. 21-vjeçari u tregua modest, teksa këtë vlerësim ia dedikoi ekipit dhe trajnerit Stoiçkov. “Ky çmim nuk është vetëm për mua, por për të gjithë ekipin. Jam shumë i lumtur që arrita të shënoj dy gola ndaj CSKA-së, por më tepër më kënaq fakti që fituam një ndeshje shumë të rëndësishme. Sinqerisht jam i befasuar nga suksesi i fundit, në një fushë, e cila për ekipin tonë nuk ka rezultuar e suksesshme. Unë shpresoj që, ashtu si mposhtëm CSKA-në, i kemi të gjitha mundësitë ta bëjmë edhe me Levskin”, – është shprehur fillimisht Vajushi.