Ish-ylli i Manchester United, Wayne Rooney është arrestuar muajin e kaluar në Shtetet e Bashkuara për sharje e prishje të qetësisë publike, ndërsa ishte në gjendje të dehur.

Ish-kapiteni i Anglisë, i cili aktualisht është pjesë e skuadrës DC United, u arrestua më 16 dhjetor në Virxhinia.

Një zëdhënës i policisë ka konfirmuar ngjarjen, duke bërë të ditur se Rooney u arrestua nga policia në aeroportin e Uashingtonit, ndërsa më vonë është lënë i lirë pasi ka paguar një gjobë prej 25 dollarësh, shumë të cilën e fiton brenda 4 minutave e 43 sekondave me kontratën që ka me skuadrën e DC United.

Kjo nuk është hera e para që Rooney ndalohet nga policia. Ai u arrestua edhe në shtator të 2017 në Cheshire të Anglisë teksa ishte duke drejtuar makinën në gjendje të dehur. Ai u ndëshkua më pas duke iu ndaluar të drejtonte automjete për dy vite.

Në qershor të 2018, ai u bë pjesë e DC United, me të cilët nënshkroi një kontratë 3 vjeçare.