Mbrojtësi I Vllaznisë Arsen Sykaj nuk ka duruar më. Duke mos e parë veten në planet e trajnerit Vata, ai mbrëmë publikisht ka bërë të ditur se do t’I kërkojë drejtuesve të klubit ta lënë të lirë të largohet pavarësisht se ka kontratë me ta deri në fund të sezonit të ardhshëm. Në një prononcim për “shkodrasport.com”, mbrojtësi 21 vjeçar I skuadrës shkodrane është shprehur:

“Besoj se kam duruar jo pak por tashmë nuk mundem më. Situata këtu tek Vllaznia është bërë e padurueshme për mua dhe për rrjedhojë, do t’u kërkoj drejtuesve të klubit të më lënë të lirë të largohem. Mendoj se nuk po më vlerësojnë ashtu siç duhet. Po përjetoj momente të pakëndshme dhe për rrjedhojë, unë nuk ndihem më mirë tek ky ekip, që është ekipi im I zemrës. Përderisa nuk ndihem mirë, do ishte më mirë për të dyja palët që unë të largohesha. S’kam asgjë me drejtuesit e klubit, por me këta të stafit drejtues. S’mund ta shtyj më kështu, sepse po na trajtojnë si lodra”. “Shpërthimi” I tij në fakt ka qenë I pritshëm prej ditësh. Megjithatë ai është duruar. Nuk ka thënë asnjë fjalë as një ditë më parë kur e kemi intervistuar për punën e thirrjes në seleksionimin e kombëtares. Ka thënë vetëm se vazhdon të punojë, të ulë kokën në stërvitje dhe kaq. Asnjë akuza, asnjë fjalë më tepër se kaq. Por dje gjërat kanë ndryshuar. Arsen Sykaj e ka parë sërish veten jashtë formacionit edhe në miqësoren e zhvilluar ndaj ekipit Bokelj. Po kush ka luajtur në formacion? Ka luajtur Da Silva që ende nuk dihet nëse do firmosë apo jo me kuqeblutë e po ashtu edhe Singbo. Aktivizimi I këtij të fundit, ka bërë që mbrojtësit shkodran mesa duket “t’I ikë truri” sepse mbrëmë afrikani I ka dhënë lamtumirën Vllaznisë. Atëherë përse duhej të luante ai sërish dje, ndërsa Sykaj qëndronte në stol? Pikërisht, të gjitha këto gjëra që ai I kishte mbledhur përbrenda, mbrëmë e kanë bërë të reagonte. “Mendoj se jam duke u paraqit mirë në stërvitje, them më mirë se gjithë mbrojtësit  e tjerë dhe sërish trajnerat nuk mi hedhin sytë ashtu siç duhet. Kjo situatë më ka rënduar shumë sepse po e shoh se këtu nuk më duan më. Prandaj dhe do të kërkoj të largohem në një skuadër tjetër më mirë”-ka thënë Sykaj. Drejtuesit e lartë të klubit shkodran mbrëmë kanë qenë të gjithë në Ulqin dhe ende nuk është e qartë nëse mbrojtësi që është kontigjent I kombëtares shqiptare, ua ka thënë në sy se do largohet apo jo. Edhe nëse nuk ua ka thënë mbrëmë, do ua thotë sot. Arsen Sykaj nuk dëshiron më të qëndrojë në këtë skuadër dhe po kërkon të largohet.

www.shkodrasport.com