Kushdo që shkoi në stadiumin “SoFi” në Los Angeles, sigurisht që nuk mund të thotë se ishte i mërzitur, duke pasur parasysh rezultatin dhe atë që pa në fushë. Vërtet skuadrat janë në përgatitjet parasezonale, por të shohësh 8 gola në total të një ndeshjeje nuk ndodh shpesh. Aq më tepër ta shijosh këtë “festival” golash në një ndeshje mes Arsenalit dhe Barcelonës.
Në fund, “Topçinjtë” e Mikel Artetës fituan 5-3, duke dërguar mesazhe shumë të qarta, nga distanca, për ata që mendojnë se titulli i humbur sezonin e kaluar ishte thjesht një rastësi. Megjithatë, Barça e Xavit e nisi fuqishëm, duke kaluar në avantazh në minutën e 7-të përmes Robert Lewandowski, i cili bëri mirë për të shënuar pas një pritjeje të parë të Ramsdale ndaj Raphinhas.
Më pas rrëmuja blaugrana në mbrojtje: Christensen e zë “gjumi” dhe Saka përfiton nga kjo, duke barazuar 1-1 në minutën e 13-të. I njëjti nga anglezët humbi një penallti pak minuta më vonë, duke e dërguar jashtë kuadratit topin.
Ramsdale, nga ana tjetër, ishte i tërbuar, por më shumë për fat të keq se çdo gjë tjetër, kur Raphinha ekzekutoi goditje dënimi dhe kaloi të tijtë në epërsinë 2-1. Para pushimit mes dy pjesëve kishte vend për golin e të porsaardhurit tek Arsenali. Kai Havertz tundi rrjetën e portës katalanase nga afër, duke barazuar 2-2.
Trossard ishte i egër në pjesën e dytë. Ish-lojtari i Brighton fillimisht mundi Ter Stegen me këmbën e majtë, më pas përfundoi me këmbën e djathtë një krosim nga Tierney për epërsinë 4-2. Gjithsesi duhen vënë në dukje dy goditje nga blaugranat, përpara golit të 4-3, të shënuar nga Ferran Torres. Vulosja e rezultatit përfundimtar erdhi nga Fabio Vieira, 5-3.
Arsenal-Barcelona 5-3
Shënues: 7′ Lewandowski (B), 13′ Saka (A), 34′ Raphinha (B), 55′ dhe 78′ Trossard (A), 88′ Ferran Torres (B), 89′ Fabio Vieira (A)
ARSENALI (4-3-3): Ramsdale; White, Saliba (70′ Kiwior), Gabriel (84′ Holding), Timber (70′ Tierney); Odegaard (62′ Vieira), Partey (70′ Jorginho), Havertz (46′ Smith Rowe); Saka (84′ Cozier-Duberry), Jesus (79′ Nketiah), Trossard (79′ Martinelli)
BARCELONA (pjesa e parë) (4-3-3): Ter Stegen; Dest, Araujo, Christensen, Alonso; Pedri, Romeu, Gundogan; Raphinha, Lewandowski, Abde Ezzalzouli
BARCELLONA (pjesa e dytë) (4-3-3): Peña; Roberto, Kounde, Eric, Balde; López (79′ Yamal), De Jong, Kessie; Dembélé, Ferran, Fati.