Futbollisti i Vllaznisë, Arsid Kruja ka komentuar për “Panorama Sport” episodin e minutës së 20-të, ku Juljan Shehu i Laçit i ndërhyri rëndë dhe u ndëshkua vetëm karton të verdhë nga arbitri Cjapi.

‘Ndërhyrja ishte shumë e rëndë dhe normalisht duhej ndëshkuar direkt me karton të kuq. Ishte identike si ajo e Hoxhës ndaj Pjeshkës në ndeshjen Vllaznia-Teuta 1- 0. Nëse në atë takim ishte një terren rrëshqitës, në këtë ndaj Laçit nuk ishte i tillë.

Këmbën e kam të ënjtur, por nëse nuk do ta kisha tërhequr në momentin e duhur, mund ta kisha një frakturë. Shpresoj që të kem sa më pak probleme pas kësaj ndërhyrjeje”, deklaroi Kruja.

IMERI “QAN” KRYMIN

Demir Imeri mendon se mungesa e mesfushorit Ardit Krymi ndikoi shumë në ndeshjen e djeshme. Autori i golit të vetëm për Vllazninë, në prononcimin pas ndeshjes, theksoi se kjo humbje nuk do të ndikojë për vazhdimësinë e kampionatit. “Më vjen keq që nuk arritëm që të merrnim atë që dëshironim. Nuk është se ky takim na uli me këmbë në tokë. Ne kemi qenë përherë me këmbë në tokë dhe këtë e kemi treguar javë pas jave.

Ndaj Laçit kemi bërë dy gabime dhe u ndëshkuam. Nuk është një humbje e madhe. Do ta analizojmë ndeshjen dhe do ta rregullojmë që javën tjetër ndaj Apolonisë. Unë premtova gol, por nuk më kënaqi shumë. Mungesa e Krymit është ndjerë shumë, sidomos në aspektin mbrojtës. Gjithsesi, ne kemi treguar se jemi të denjë për titullin”.