Në fitoren e thellë 4-0 ndaj Besëlidhjes, ka dhënë kontributin e tij edhe mesfushori Arsid Kruja. Ai ka shënuar golin e tretë, ndërkohë që ka asistuar për brazilianin Zhunior në golin e parë. Vetë mesfushori i rikthyer në janar tek kuqeblutë shprehet i kënaqur me atë çfarë po jep për skuadrën e cila tashmë është thuajse shumë pranë arritjes së objektivit të saj.

“Forma ime ka ardhur në rritje sepse po bëjmë një stërvitje intensive falë edhe stafit të kualifikuar që kemi. Duke dhënë maksimumin në stërvitje, kuptohet që edhe në ndeshje pastaj shprehemi ashtu si duhet.

Unë thjesht po bëj detyrën time, po bëj atë çfarë më thotë trajneri. Sa i takon golit, kuptohet që për çdo lojtar që arrin të shënojë, të krijon emocione dhe të gëzon, të jep frymëzim më shumë, por më shumë jam i përqendruar tek suksesi i ekipit”- ka thënë Kruja.

Ndërkohë i pyetur në lidhje me 5 ndeshjet e fundit të kampionatit, Kruja shprehet se Vllaznia do ta respektojë deri në atë fund në mënyrën e duhur.

“Me fitoren ndaj Besëlidhjes besoj se me 100 për qind është realizuar edhe objektivi jonë. Megjithatë ne do të vazhdojmë të jemi seriozë deri në fund të kampionatit, do t’i marrim ndeshjet me rradhë dhe pse jo t’i fitojmë të gjitha”- ka thënë Kruja.
© shkodrasport.com