Trajneri I Vllaznisë Artan Bushati nuk kënaqet kurrë. Ndonëse skuadra e tij ka bërë një paraqitje të përkryer në ndeshjen e parë nën drejtimin e tij, pikërisht atë në Korçë të fituar ndaj Skënderbeut, ai ka gjetur vend dje të kritikojë sërish futbollistët e tij. E ka bërë këtë gjë në analizën teorike që ka zhvilluara paraditen e djeshme me skuadrën.
Duke patur përpara në monitor pamjet filmike të ndeshjes, tekniku kuqeblu është ndalur moment pas momenti tek gabimet e vërejtura në mbrojtje, ndonëse ato kanë qenë të pakta, tek mesfusha edhe tek sulmi. Madje interesant është edhe fakti se Bushati ka kritikuar edhe autorin e golit në ndeshjen e Korçës, Arsen Hajdarin, ndonëse ai realizoi një kryevepër. “Ke shënuar një gol shumë të bukur por duhet të dalësh më shumë para portës kundërshtare. Duhet të bësh atë që bën edhe Dragoi”- mësohet t’I jetë drejtuar trajneri I Vllaznisë autorit të golit të fitores në Korçë. E kur ka patur kritika apo këshilla për atë që ka qenë protagonisti kryesor I suksesit, llogarit pastaj të tjerët. “Bushati është një trajner që nuk lavdëron kënd”, është shprehur si me humor dje një nga futbollistët e Vllaznisë. Kjo ngaqë e konsideron atë një trajner shumë kërkues dhe në fakt kjo është një gjë e mirë. Kuqeblutë dje kanë folur gjerë e gjatë për ndeshjen e rradhës, atë që do të luajnë me Kukësin në fundjvë. “Të gjithëve na gëzoi rezultati i arritur në Korçë, sidomos kur vjen edhe si rrjedhojë e një loje të mirë. Por mendoj se pas këtij takimi, ne duhet të merremi me defektet e evidentuara”, mësohet t’u ketë thënë futbollistëve tekniku shkodran. Defektet në fakt në atë ndeshje kanë qenë minimale megjithatë edhe ato duhen riparuar. Në analizën e djeshme, janë marrë vesh edhe pikat ku ai kërkon që skuadra të reagojë më mirë. “Kërkoj nga të gjithë ju, sipas reparteve, të menaxhoni lojën. Menaxhimi i lojës, do të thotë menaxhimi i situatave që krijohen gjatë gjithë 90 minutave të ndeshjes”- është shprehur Bushati.
Përgatitja fizike. Në analizën e djeshme, disa prej futbollistëve kanë ngritur pak shqetësimin e lodhjes nga stërvitja e kohëve të fundit. Trajneri Bushati ka vijuar shpeshherë me nga dy seanca në ditë dhe në fakt, kjo I ka bërë lojtarët të ndjejnë jo pak dhimbje në muskujt e tyre. Megjithatë përgjigja e trajnerit ka qenë e qartë: “E kam të qartë ngarkesën që jam duke u dhënë dhe të jeni të bindur se nuk ju jap më tepër sesa duhet. Detyra juaj është të mbani regjim dhe nga ndeshja në ndeshje keni për të qenë edhe më të freskët fizikisht. Ky është fillimi I kampionatti dhe duhet të ruajmë ngarkesën por në vazhdim ka për të ardhur duke u ulur. E rëndësishme është njëherë të kalojmë me sukses edhe ndeshjen e rradhës me Kukësin. Ai është një kundërshtar shumë I fortë, është një ekip agresiv dhe do kërkojë pikë në Shkodër prandaj nuk duhet t’ia japim këtë mundësi”. Gjërat janë të qarta për të gjithë futbollistët. Nëse nuk kalojnë me fitore Kukësin, e gjithë puna e bërë në Korçë bie poshtë. Prandaj dhe konstatohet angazhim maksimal tek të gjithë. Vllaznia e këtij viti të ri, e ka marrë shumë seriozisht.
Gjergj KOLA