Vllaznia është klubi më me shumë probleme në Kategorinë Superiore gjatë ditëve të fundit. Shkodranët prej muajsh nuk janë paguar dhe kjo i ka shtyrë të organizojnë bojkot, duke mos u stërvitur dhe u grumbulluar më vonë se të gjitha skuadrat e tjera.

Përveç kësaj, edhe trajnerit Mirsad Jonuz i është dashur të kalojë 14 ditë në karantinë dhe nuk e ka patur të mundur të jetë fizikisht në krye të skuadrës.

Ditën e mërkurë kuqeblutë udhëtojnë drejt Vlorës për tu ndeshur me Flamurtarin dhe përveç problemeve të mësipërme, atyre u shtohet edhe çështja e dëmtimeve dhe mungesave prej mbylljes së kufijve. Behar Ramadani dhe Dajan Shehi kanë shfaqur probleme fizike dhe është thuajse e sigurt se nuk do të zbresin në fushë pasnesër.

Mungesës së tyre mund t’i shtohet edhe ajo e kapitenit Gilman Lika. Sulmuesi ka shfaqur probleme ditët e fundit dhe duket se muskuj e tij nuk janë gati për të përballuar një ndeshje të plotë.

Përveç këtyre tre mungesave, shkodranët po presin ardhjen nga Maqedonia e Veriut të Mevlan Adilit, Andreja Efremov dhe Simeom Hristov, që pritet të vijnë brenda dy ditëve të ardhshme, pas hapjes së kufijve tokësorë.

Gjithsesi, do të jetë shumë e vështirë të luajnë, pasi nuk janë stërvitur me ekipin që nga muaji mars. Ndaj Flamurtarit shkodranët kërkojnë fitoren dhe shpresojnë në një disfatë të Bylisit ndaj Tiranës, për tu ngjitur në vendin e shtatë dhe dalë nga zona Play-Out. /vipsoort/