Kategoria e Dytë do të luajë ditën e sotme javën e pestë të saj. Një nga sfidat interesante që do të luhet ditën e sotme, do të jetë edhe Veleçiku-Sopoti, të cilët do të luajnë kundër njëri-tjetrit në fushën e koplikasve.

Këta të fundit ndodhen në një distancë prej tre pikësh nga librazhdasit, të cilët edhe ata nga ana e tyre i kanë dhënë një vlerësim maksimal kësaj ndeshjeje, duke ditur që Veleçiku kryeson renditjen e kampionatit. Nga ana tjetër, skuadra e Dritan Smajlit synon të ngjitet me patjetër këtë sezon në Kategorinë e Parë.

Kjo ndeshje mund të jetë përcaktuese për vazhdimësinë, teksa në rast fitoreje, koplikasit do të hidhnin një hap shumë të rëndësishëm për arritjen e objektivit të tyre, duke marrë në konsideratë që Sopoti është një rival direkt.

Megjithatë, futbollistët e drejtuar nga trajneri Dritan Smajli janë të vendosur për ta kaluar me sukses këtë sfidë ndaj librazhdasve, aq më tepër kur vijnë me moral të lartë pas fitores javën e kaluar në transfertën e vështirë të Velipojës ndaj Adës 4-1.

Ndeshja Veleçiku-Sopoti do të luhet ditën e sotme në impiantin “Vëllezërit Duli” në Koplik, duke nisur nga ora 14:00.
Maringlen ZHIVANI