Liridon Latifi do të jetë mungesa e vetme ndaj Erzenit.

Kosovari i mesfushës pavarësisht se po stërvitet individualisht sërish nuk duket 100% gati për këtë takim. Ndërkohë pjesa tjetër e grupit do të jetë e gatshme për teknikun Mirel Josa.

Madje dje në seancën e fundit stërvitore me ekipin janë bashkuar edhe tre lojtarët që ishin të grumbulluar me ekipin përfaqësues, kapiteni Erdenis Gurishta, Esin Hakaj e Esat Mala.

Rikthimet e lojtarëve si Hakaj, Jonuzi, Boshnjaku, Heriç dhe Kaina do të bëjnë që tekniku Josa të ketë shumë alternativa për sa i përket formacionit që do të përballet me shijakasit.

Kjo për më tepër edhe për faktin se disa nga lojtarët që janë aktivizuar kanë justifikuar mjaft mirë me paraqitjet e tyre.

Nisur nga kjo pritet që të ketë shumë dilema, sidomos në qendër të mesfushës dhe për më tepër në të majtë të sulmit.

Nisur nga kontingjenti që ka Vllaznia përballë Erzenit pritet që të luaj me këtë formacion: Zogoviç në portë, Gurishta, Juriç, Bulatoviç e Hakaj në mbrojtje.

Jonuzi, Boshnjaku e Alivoda në mesin e fushës. Ndërsa sulmi pritet që të ketë Malën në krahun e djathtë, Marku në të majtë dhe Ardit Hoxhaj në majë të tij.